Kosovë – Thaçi: Personat e zhdukur, plagë që duhet të mbyllet urgjentisht

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, deklaroi sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi...

561223
Kosovë – Thaçi: Personat e zhdukur, plagë që duhet të mbyllet urgjentisht

Personat e zhdukur mbesin një nga plagët më të rënda, që ka lënë lufta në Kosovë, ndërsa zgjidhja e fatit të tyre është një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë, është shprehur sot Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në vigjilje të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

“Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të zhdukurve është ndër më të rëndat”, ka thënë Presidenti Thaçi, i cili shtoi se kjo çështje “rëndon familjet e të pagjeturve, por edhe tërë shoqërinë; marrëdhëniet mes komuniteteve, por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë”.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të zhdukurve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha Presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës theksoi se nuk kalon ditë që nuk i kujtojnë të zhdukurit. “Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët, që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërsa në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e tyre të gjejnë paqen”, deklaroi Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës përfundoi se “janë mu këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi ynë që të punojmë që të mos lejojmë që të përsëritet lufta, por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve”.

Në Kosovë, 17 vjet pas luftës, janë ende mbi 1.600 të zhdukur të pagjetur.

Ndërkohë, këshilli organizativ për shënimin e 30 gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, njoftuan sot agjendën e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Aktivitetet e planifikuara për shënimin e 30 gushtit–Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, janë të përshkruara në vijim:

– 29.08.2016, ora 11:55, organizimi i tryezës me temën: "Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur – rasti i Kosovës" (tryeza do të mbahet në Kuvendin e Republikës së Kosovës).

– 30.08.2016, ora 09:30, vendosja e luleve te përmendorja dedikuar personave të zhdukur (përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës).

– 30.08.2016, ora 11:00, tubimi qendror, në Merdar (lokalitet i vendkalimit kufitar të Kosovës me Serbinë), Komuna e Podujevës.



Lajme të ngjashme