Zv/presidenti i SHBA, Joe Biden, sot në vizitën e dytë në Kosovë

Zv/presidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrin sot për vizitë në Kosovë, të dytën pas vizitës së majit 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë...

Zv/presidenti i SHBA, Joe Biden, sot në vizitën e dytë në Kosovë

Zv/presidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrin sot për vizitë në Kosovë, të dytën pas vizitës së majit 2009, pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë. Të martën në mbrëmje ai mbërrin në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa të mërkurën do zhvillojë takime.

Ambasada e SHBA bën të ditur se zv/presidenti Joe Biden dhe dr. Jill Biden do të udhëtojnë për në Prishtinë, Kosovë. Zv/presidenti do të zhvillojë takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa. Gjithashtu, nën kujdesin e qeverisë së Kosovës, zv/presidenti Joe Biden dhe dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit “Bondsteel” për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë, Joseph R. “Beau” Biden III, bën të ditur Ambasada e SHBA në Kosovë.

Në vizitën e parë, më 21 maj 2009, zv/presidenti amerikan, Joe Biden, në takim me drejtuesit më të lartë të vendit në Prishtinë, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë ai pas takimit të atëhershëm me asokohe Presidentin Fatmir Sejdiu e Kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-së. Një Kosovë e bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, ka theksuar Biden.

“Gjëja e tretë, që dua ta theksoj, është se mendoj që qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi, që qeveria e Kosovës ka arritur brenda një viti, është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, ka thënë Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistojë ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar zv/presidenti amerikan, Joe Biden, në vizitën e parë në Kosovë.

Që në fillim të fjalës së tij, Biden ka falënderuar për nderimin e tij nga Presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë. Kjo dekoratë mirënjohjeje u jepet personaliteteve të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës.

Pavarësinë e Kosovës, shpallur në 17 shkurtin historik 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Që prej 20 vitesh, SHBA-ja është vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 20 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.



Lajme të ngjashme