Kosovë - Sot në Prishtinë filloi punimet seminari i 35-të i gjuhës dhe letësrisë shqipe

Në kryeqytetin e Kosovës, sot në mesditë, u hap seminari 35-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën Shqiptare, në Universitetin e Prishtinës-Fakultetin e Filologjisë.

Kosovë - Sot në Prishtinë filloi punimet seminari i 35-të i gjuhës dhe letësrisë shqipe

Në kryeqytetin e Kosovës, sot në mesditë, u hap seminari 35-të ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën Shqiptare, në Universitetin e Prishtinës-Fakultetin e Filologjisë.

Në ceremoninë ku po marrin pjesë edhe krerë të institucioneve të Kosovës, Kryeministri Isa Mustafa e Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, me një fjalë rasti hapjen e bëri dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Sejdiu-Rugova, e cila përkujtoi historikun e seminarit dhe paralajmëroi agjendën e këtij viti.

Deri në 26 gusht, kur përmbyllet, tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore do jenë: Gjuhësi -Varietetet e shqipes; Letërsi – Koncepti i tjetrit në letërsinë shqipe; Kulturologji – Media dhe kultura në epokën e internetit.

Programi bazë i Seminarit 35-të është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta.

Mes pjesëmarrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione deri tash dhe i sivjetmi është jubilar – i tridhjetë e pesti. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë



Lajme të ngjashme