Rivitalizimi i Urës së Ibrit duhet të bëhet para 25 gushtit

Ka përfunduar në Bruksel raundi i bisedimeve mes palës së Kosovës dhe asaj serbe në lidhje me zhbllokimin e marrëveshjeve, të cilat janë bllokuar për një vit.

Rivitalizimi i Urës së Ibrit duhet të bëhet para 25 gushtit

Sipas një komunikate të zyrës së kryeministrit të Kosovës, ky raund i bisedimeve ka zgjatur mbi 19 orë.

“Me gjithë faktin se këto kanë qenë bisedime mjaft të vështira, por në një atmosferë konstruktive të ndërmjetësuara nga Drejtoresha e BE-së për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin, znj. Angelina Eichhorst, është shënuar progres në zhbllokimin e marrëveshjeve në fushën e heqjes së barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe marrjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”, thuhet në një komunikatë ku citohet ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila kryeson delegacionin e Kosovës në Bruksel.

Siç theksohet në komunikatë angazhimi i Bashkimit Evropian në këto bisedime ka qenë maksimal në mënyrë që këto dy çështje më në fund të zbatohen dhe qëndrimi i BE-së ka qenë i qartë që palët duhet t’i plotësojnë obligimet e tyre zbatuese, duke theksuar se ky dialog është për fqinjësinë e mirë dhe është kusht për të dyja shtetet në rrugën e tyre të integrimit evropian.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore duke marrë parasysh se kodi telefonik shtetëror për Kosovën ka një rëndësi të madhe në fushën e telekomunikacionit sidomos në planin e sovranitetit ndërkombëtar në Telekom. Ministrja Tahiri theksoi se në çështjen e kodit telefonik për Kosovën bisedimet kanë shënuar progres dhe në ditët në vazhdim do të mbahet takimi i radhës në të cilin do të përmbyllet çështja e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”.



Lajme të ngjashme