DASH: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) vlerëson se Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale...

DASH: Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) vlerëson se Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale. Ministria kosovare e Financave deklaroi sot se vlerëson lart raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2016 lidhur me transparencën fiskale në Kosovë.

“Ky raport përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme për publikun, siç është propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuar, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj”, thekson Ministria.

Po ashtu, vijohet më tej, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla”, shprehet Ministria e Financave.

Si e tillë, vijon deklarata, transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit.

“Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit”, thekohet më tej.

Në këtë mënyrë, vijon deklarata, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme.

“Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, në raportin e vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015. Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare etj”, thekson Ministria kosovare e Financave. Më tej, MF shton se, ky vlerësim pozitiv reflekton suksesin e plotë të qeverisë së Kosovës në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënien.

“Ky sukses, i mundëson Kosovës të ketë qasje në ‘Fondin Inovativ për Transparencë Fiskale’ të Departamentit të Shtetit për 2016, ku mund të sigurohen fonde për të rritur kapacitetet e qeverisë për ekzekutim të qëndrueshëm, të besueshëm dhe transparent të buxhetit, rritjen e qasjes për qytetarët në shpenzimet publike dhe programet e të hyrave si dhe rritjen e aftësisë së qytetarëve për të avokuar për çështje specifike të cilat lidhen me buxhetin e shtetit”, përfundon Ministria kosovare e Financave.



Lajme të ngjashme