Rama: Hapet rruga e reformës në drejtësi, lehtësim për shqiptarët

Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se “Ky është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi”.

Rama: Hapet rruga e reformës në drejtësi, lehtësim për shqiptarët

Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se “Ky është një moment lehtësimi për të gjithë shqiptarët, qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi”.

“Tanimë e kanë marrë lajmin se PD i është nënshtruar vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekur të partnerëve tanë strategjikë, që bashkë me shqiptarët çojnë përpara një reformë historike, që i hap rrugë revolucionit në sistemin e drejtësisë: Përmbysjen përfundimtare të kastës së inkriminuarve, që mbajnë peng drejtësinë në këtë vend”. tha shefi i qeverise në Tiranë.

Kryeministri ndau me me publikun edhe letrën e Komisionerit Hahn dërguar Kryeministrit Edi Rama, Kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe Kreut të PD, Lulzim Basha.

“Kënaqësi që ndaj me ju tekstin e mesazhit që unë, Kreu i Kuvendit dhe kreu i opozitës kemi marrë nga BE nëpërmjet Komisionerit Johannes Hahn, tha Rama, duke cituar letrën.

“I dashur Kryeministër, i dashur Kryeparlamentar, i dashur kryetar i Partisë Demokratike! Në vijim të bisedave të mia telefonike dje dhe sot, me të tre ju, unë dua të ritheksoj pikat e mëposhtme të të quajturit “propozim hibrid”, të cilat i keni mbi tavolinë. Këto pika janë vijat e kuqe të komunitetit ndërkombëtar, ashtu siç i kemi nënvizuar në vazhdimësi përgjatë gjithë procesit.

E para, roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ONM duhet të ketë një bazë të ligjshme solide brenda Kushtetutës.

E dyta, unë rikonfirmoj se siç e kemi bërë të qartë në të gjitha diskutimet, ONM-ja do të japë rekomandime, të cilat nuk janë ligjërisht detyruese. Në çdo rast, këto rekomandime do të përmbajnë për çdo qëndrim të mbajtur, një arsyetim shpjegues bazuar mbi kriteret e përcaktuara nga legjislacioni. Unë besoj që mund të vijojmë më tutje mbi këtë bazë. Siç diskutuam, ju lutem konfirmojeni këtë duke i’u përgjigjur shpejt këtij mesazhi, në mënyrë që votimi në Kuvend të bëhet nesër”, thuhet në letër.

“Që do të thotë që 'vijat e kuqe' ishin aty, janë aty dhe do të mbeten aty të palëvizura me votimin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Që do të thotë që falë këtyre 'vijave të kuqe', kjo reformë ka garantuar vijën mbrojtëse nga çdo përpjekje për të penguar reformën në drejtësi me mjetet e korrupsionit politik apo financiar”, tha Rama.

“Dua po ashtu t’i jap përgjigje të gjithë atyre që patën një moment shqetësimi që na u përçua edhe përmes mesazheve lidhur me shpalljen e fitores nga kryetari i Partisë Demokratike.

E para, jam shumë i gëzuar që Partia Demokratike u bë pjesë e kësaj fitoreje të madhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

E dyta, jam shumë i gëzuar po ashtu, që përpjekja delirante për t’i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian rezultoi një flluskë sapuni.

E treta, dua të ndaj me ju faktin se ky është drafti i reformës kushtetuese dhe në këtë draft nuk lëviz absolutisht asgjë për sa i përket dy çështjeve që mbajtën peng këtë proces deri në këtë orë të fundit; përfshirjes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë dhe rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për të parën jemi të qartë. Për të dytën po lehtësoj përkthimin e asaj që u dëgjua më parë nga kryetari i Partisë Demokratike duke lexuar këtë draft kushtetues, deri dje të anatemuar si 'komplot kundër sovranitetit të Shqipërisë'”, theksoi Rama.

“Drafti thotë: Vëzhguesi ndërkombëtar ushton këto detyra:  a) jep rekomandime lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit etj.. b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga komisioni etj.. c) u jep komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. ç) kanë të drejtë të marrin të gjithë informacionet menjëherë, të dhënat për personat e dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit dhe rivlerësimit”, u shpreh kreu i Tiranës zyrtare.

Sot, vijoi Rama, “të gjithë duhet të ndjehemi të lehtësuar jo vetëm për faktin që reforma historike nesër do të kalojë me konsensus, pasi thirrjen e historisë nuk ka mur shurdhërie që mund ta përballojë, por edhe për faktin se sidoqoftë, në Shqipëri nuk mundi të formësohej asnjë grupim, i cili do të mund ta damkoste vendin tonë me një njollë të pashlyeshme, si një vend ku beteja politike zhvillohet mes një pale që është me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe gjithçka bota demokratike përfaqëson dhe një pale tjetër që vë në pikëpyetje themelet e kësaj bote”.

“Duke i falënderuar të gjithë për kontributin e jashtëzakonshëm, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë popullin shqiptar, presioni i të cilit është ndjerë në të gjitha poret e elitës politike shqiptare, më vjen shumë mirë që si piktor 'vijat e kuqe' mbetën thellësisht të kuqe”, përfundoi Kryeministri Rama.



Lajme të ngjashme