Shqipëria do të ndryshojë ligjin për prokurorinë

Në kuadër të reformës në drejtësi ligji i ri “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, mes të tjerash, përmban rregulla të rëndësishme për sa i përket edhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.

Shqipëria do të ndryshojë ligjin për prokurorinë

Ligji i ri “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, mes të tjerash, përmban rregulla të rëndësishme për sa i përket kushteve ligjore, kritereve të vlerësimit dhe procedurës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Bazuar në nenin 148, pika a, të Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7 vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Ligji i ri përcakton kushtet ligjore për emërimin Prokuror i Përgjithshëm, i cili zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës ose me gradë shkencore në drejtësi.

Kandidati për këtë post nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit, përpara kandidimit.

Kandidatët që përmbushin kushtet ligjore vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë Prokurorisë bazuar në rezultatet e vlerësimit profesional të kandidatit në fushën e drejtësisë penale; integritetit moral, aftësive organizative, drejtuese etj.

Neni 29 i ligjit parashikon që organi përgjegjës për përzgjedhjen e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm është Këshilli i Emërimeve, i cili zbaton rregulla të detajuara për procedurën përzgjedhëse. Në përfundim të vlerësimit paraprak, hartohet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe atyre të skualifikuar, e cila i paraqitet Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kandidatët e skualifikuar kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative të Apelit ndaj vendimit të Këshillit, brenda 5 ditëve nga data e njoftimit. Kandidatët e kualifikuar, i nënshtrohen vlerësimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ku në përfundim të këtij procesi Këshilli përgatit listën me renditjen paraprake të kandidatëve. Më pas, ky Këshill organizon seanca dëgjimore me jo më shumë se gjashtë kandidatët e renditur më lart në listë. Në vijim të procedurës Këshilli i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të emëruar Prokuror të Përgjithshëm një nga tre kandidatët e renditur më lart në listën e konkurrentëve. 



Lajme të ngjashme