PE rekomandon heqjen e vizave për Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi sot rekomandimin për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

vizesiz avrupa kosova

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian në mbledhjen që patën në Strasburg miratuan rekomandimin duke vlerësuar se të tre këto vende kanë përmbushur kushtet e nevojshme për liberalizimin e vizave dhe brenda një kohe të shkurtër duhet të shtohen në listën e vendeve që mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

Në rekomandim vlerësohet se liberalizimi i vizave do të forcojë objektivat strategjike të BE-së, do të jetë një instrument i rëndësishëm në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë të BE-së, si dhe do të shërbejë për kontaktet mes popujve.

Votimi për heqjen e vizave kaloi me 38 vota pro, 7 kundër dhe 6 abstenim. Me të njëjtat argumente komisioni i rekomandoi BE-së liberalizimin e vizave edhe për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, përkatësisht me 42 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenim; dhe 43 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim.

“Jam e bindur se qytetarët e Kosovës meritojnë heqjen e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Mungesa e perspektivës për të udhëtuar lirshëm vetëm për këtë pjesë të rajonit është e papranueshme dhe duhet të marrë fund. Tani gjithçka është në duart e politikanëve të Kosovës, ata duhet të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe shënojnë progres në ndëshkimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunaçek.

Raporti i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë do ti kalojë Komitetit të Lirive Civile të Parlamentit Evropan dhe do të diskutohet e vlerësohet në mbledhjen e këtij komiteti në shtator.

Pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, Ukrainës dhe Gjeorgjisë të dalë brenda këtij viti.



Lajme të ngjashme