Mogherini: Liberalizimi i vizave për Kosovën, të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi

Kryediplomatje evropiane, Federica Mogherini, kërkoi që Kosova të përmbushë sa më parë kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, atë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Mogherini: Liberalizimi i vizave për Kosovën, të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, u prit nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, e cila ka thënë se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin në lidhje me liberalizimin e vizave.

Presidenti Thaçi e informoi përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin për paqe dhe stabilitet në rajon.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani pret një vendim meritor.

I pari i vendit foli për dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se ky proces ka ndikuar pozitivisht në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në tërë Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, u shpreh se Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin në lidhje me liberalizimin e vizave dhe kërkoi që Kosova të përmbushë sa më parë kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, atë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi. Ajo gjithashtu ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin.

Ndërkaq, gjatë ditës, Thaçi është pritur edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.



Lajme të ngjashme