Shqipëri - Meta: Miratimi i reformës në drejtësi, me rëndësi historike

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, doli në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit.

Shqipëri - Meta: Miratimi i reformës në drejtësi, me rëndësi historike

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pas takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, doli në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit.

Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Meta, tha se “zhvillova sot një takim zyrtar me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, të cilin e falënderova për pranimin e ftesës në këtë ditë pushimi dhe ditëlindje, duke e uruar edhe 100 vite të tjera. I shpreha ndjesën time z. Basha për gabimin teknik në kalendarin e Kuvendit javën e kaluar dhe e sigurova për përkushtimin tim maksimal si kryetar i Kuvendit për të garantuar një proces dhe procedurë parlamentare tërsisht legjitime dhe me integritet për miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi, si një proces madhor dhe me rëndësi historike për qytetarët e vendit dhe të ardhmen e Shqipërisë evropiane”.

“I shpreha z. Basha kënaqësine dhe vlerësimin tim për angazhimin e opozitës në procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbështetjen, që i ka dhënë reformës në drejtësi. Kam kërkuar nga z. Basha mirëkuptimin për zhvillimin e procedurave parlamentare dhe përcaktimin e kalendarit për mbarëvajtjen e procesit për miratimin e paketës kushtetuese sa më shpejt dhe në mënyrë të pa diskutueshme. Basha më shprehu angazhimin e opozitës për miratimin sa më parë të reformës në drejtësi dhe më njohu për këtë qëllim me të vetmen çështje parimore, që sipas opozitës, ndan palët në miratimin e draftit kushtetues, atë të formulës së zgjedhjes së institucioneve të reja, e cila sipas qëndrimit të opozitës, duhet bërë në përputhje me rekomandimin 88 të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias”, tha Meta.

Ilir Meta theksoi se “në cilësine e kryetarit të Kuvendit mbetem i hapur për dialog me të gjitha palët, me qëllim që të miratojmë sa më parë, me koherencë dhe trasparencë reformën më themelore dhe më të rëndësishme për shtetin e së drejtës dhe të ardhmen e Shqipërisë evropiane”.



Lajme të ngjashme