Shqipëri-Greqi do të krijojnë mekanizëm për çështjet e pazgjidhura

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët pas takimit me homologun grek, Nikoalos Kotzias tha se është rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët për mënyrën si do t’i adresojmë çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

Shqipëri-Greqi do të krijojnë mekanizëm për çështjet e pazgjidhura

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati  pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikoalos Kotzias tha se ramë dakord për një mekanizëm të përbashkët për mënyrën si do t’i adresojmë çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

“Kemi rreth një vit që po punojmë së bashku për të adresuar disa nga çështjet që nuk kanë gjetur ende trajtim mes dy vendeve, si sa i takon çështjeve që e kanë origjinën tek Lufta e Dytë Botërore, apo me interes praktik për qytetarët e dy vendeve tona, por dhe ato për ato që i konsiderojmë përcaktuese për të ardhmen tonë europiane” u shpreh ministri Bushati ne deklaratën për mediat.
Me mikun tim Nikos, vijoi ai, kemi këmbyer disa ide apo një përpjekje për të shkuar drejt një platforme të përbashkët për të zgjidhur çështjet dypalëshe që janë ende në tryezat mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Veç përpjekjeve tona për krijimin e platformës sonë të përbashkët, theksoi Bushati, më vjen mirë te them se sot kemi rënë dakord për një mekanizëm të përbashkët për mënyrën se si ne do t’i  adresojmë këto çështje, që tashmë janë listuar.

Ky mekanizëm, që do të mblidhet në mënyrë periodike, do të jetë thellësisht për të gjitha çështjet që përmban përpjekja jonë për një paketë të përbashkët apo një platformë të përbashkët. Nuk mjafton thjesht listimi i çështjeve, të cilat dihen, se shpesh i kemi bërë publike, por gjithë energjitë tona tashmë, janë fokusuar tek mënyra si do e gjejmë zgjidhjen për to, nënvizoi Bushati.

Bushati theksoi se propozimet e tij për adresimin e çështjeve kanë shumë pikë të përbashkëta me ato të homologut grek, sikundër ka dhe një vullnet të përbashkët nga ana e qeverive respektive për të ecur përpara, shtoi ai.
“Krahas mekanizmit të konsultimit për mënyrën si do të adresohen çështjet, sot ne ramë dakord dhe për një hartë rruge të qartë, nisur nga gama e gjerë e çështjeve. Kjo hartë, do të dakortësohet në nivele të ndryshme që të fillojnë dhe produktet e para pozitive në këtë drejtim”, shpjegoi ministri i jashtëm shqiptar.
Ai gjithashtu vlerësoi mjaft punën e ekipeve respektive në evidentimin e çështjeve, nisur dhe nga marrëdhënia jonë, që është një marrëdhënie mijëravjeçare, komplekse, por dhe një marrëdhënie me potencial shumë të lartë’, shtoi Bushati.

Ministri grek Kotzias, në deklaratën zyrtare pas takimit, duke falënderuar Ministrinë e Jashtme shqiptare për dispozitën pozitive në përballimin e problemeve, theksoi angazhimin e palës greke për zgjidhjen e tyre. Zgjidhja e çështjeve që ekzistojnë mes dy vendeve, theksoi Kotzias, do të bëhet në rrugë europiane, me kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit europian.
“Në epokën tonë është e kuptueshme se kur ekzistojnë probleme do të kërkosh dhe zgjidhje. Problemet janë që t’i zgjidhim dhe të ecim më tutje. Kjo është filozofia jonë e përbashkët, zgjidhja e problemeve ekzistuese dhe angazhimi për projektet e mëdha të së ardhmes. Kjo nisur nga detyrimet qe kemi për popujt tanë, por dhe për rajonin e sigurinë e tij”, deklaroi ministri i jashtëm grek.

Ai mbështeti propozimin e ministrit Bushati për ‘një hartë rrugore’ në zgjidhjen e çështjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

“Propozimi që bëri Ditmiri për një hartë rrugore por dhe një përcaktim kohor është një propozim që është pikërisht i mbështetur në instrumentet e BE-së. Ne duhet ta ngremë këtë peshë institucionale dhe na duhet të mbarojmë me problemet që mbartim mbi vete nga e shkuara dhe të procedojmë me anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kotzias.

Ministri i Jashtem grek ripërsëriti gatishmërinë e Athinës për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, nisur nga eksperienca që Greqia ka si një nga anëtaret e vjetra të Bashkimit Europian.
Në këtë kuadër, Kotzias bëri të ditur ftesën për ministrin Bushati për një takim të dytë të ‘4 vendeve’ në Selanik, ndërsa në muajin shtator do të mbahet një takim i përbashkët i 6 vendeve anëtare të BE-së, me 6 vende ballkanike dhe 6 vende arabike, tha ai.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse çështja çame ishte pjesë e takimit të sotëm, ministri Bushati deklaroi se i respektojmë pikëpamjet e ndryshme për të, e  cila shtoi ai, ka nevojë për një trajtim më realist.
“Çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën tek Lufta e II Botërore. Jemi vende fqinje dhe deri diku është normale, qe për gjaknxehtësinë që kanë ballkanasit, të kemi lexime të ndryshme për të, por dhe për çështje të tjera. Ne, gjithsesi besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe do të vendoste një drejtësi të munguar. Këtu nuk bëhet fjalë as për pretendime territoriale ndaj Greqisë, pasi Shqipëria nuk ka asnjë pretendim, ajo ka firmosur Aktin Final të Helsinkit dhe e pranon dhe e respekton Greqinë si një fqinj. Është mirënjohëse për mbështetjen që ajo i ka dhënë Shqipërisë ndër vite si në procesin e integrimit në familjen euroatlantike dhe tani në procesin e integrimit ne BE. Por, qasja jonë kur flasim për këtë çështje ka të bëjë me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre, që në fakt ishin shqiptarë Çamërie me nënshtetësi greke. Çdo debat me karakter diskriminues do te duhej të hiqej edhe sa i takon kësaj popullsie, deklaroi Bushati.

Gjatë qëndrimit në Tiranë ministri grek do të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës me temë: “Mbi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke për të ardhmen evropiane të rajonit”.



Lajme të ngjashme