Myslimanët shqiptarë falën namazin e parë të teravisë

Në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë besimtarët myslimanë shqiptarë falën mbrëmë namazin e teravisë së parë të muajit të Ramazanit.

Myslimanët shqiptarë falën namazin e parë të teravisë

Besimtarët myslimanë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë kanë falur sonte namazin e teravisë së pare të muajit të Ramazanit, raporton agjencia e lajmeve AA.

Besimtarët myslimanë në të gjithë Shqipërinë kanë falur namazin e teravisë së parë të muajit të Ramazanit, në të gjitha xhamitë e vendit. Ndërkohë edhe në xhaminë historike Et’hem Beu në qendër të Tiranës, besimtarë të shumtë kanë ardhur për të falur këtë namaz.

Besimtarët, të cilët nuk arritën të gjejnë një vend në ambientet e brendshme të kësaj faltoreje namazin e tyre e falën në trotuarin përpara xhamisë.

Ndërkohë edhe besimtarët myslimanë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, duke mbushur xhamitë e këtij qyteti falën namazin e taravisë së parë të Ramazanit me entuziazëm. Ashtu sikurse xhamitë e tjera besimtarë të shumtë mbushën edhe xhaminë Mustafa Pasha.

Besimtarët më parë dëgjuan predikimin nga imami i xhamisë. Duke mos gjetur vend në ambientet e brendshme besimtarë të shumtë u falën jashtë xhamisë.

Gjithashtu edhe në Prishtinë, në prag të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, xhamitë u mbushën me besimtarë, të cilët kanë falur namazin e teravisë së parë. Xhamia Sultan Mehmet Fatih në Prishtinë, një nga më të frekuentuarat, ishte e mbushur me besimtarë, të cilët pas faljes së namazit të jacisë dhe leximit të librit të shenjtë Kur'ani Kerim, kanë falur namazin e parë të teravisë.

Në xhaminë Sultan Mehmet Fatih, ishte edhe Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili para faljes së namazit të teravisë të gjithë besimtarëve iu uroi muajin e shenjtë të Ramazanit.

Namazi i teravive fillon një mbrëmje para fillimit të Ramazanit dhe mbaron një mbrëmje para ditës së Fitër Bajramit. Namazi i teravisë falet çdo mbrëmje gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të jacisë, i cili është namaz sunnet si për meshkujt ashtu edhe për femrat.



Lajme të ngjashme