Thaçi-Plevneliev: Bullgaria dhe Kosova, marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, realizoi një takim me homologun bullgar, Rosen Plevneliev. Në fokus të bisedimeve ka qenë rritja e bashkëpunimit ekonomik.

Thaçi-Plevneliev: Bullgaria dhe Kosova, marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Samitin  e SEECP-së në Bullgari, ka zhvilluar një takim bilateral me homologun e tij bullgar, Rosen Plevneliev, thuhet në njoftimin për mediat nga Presidenca e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se hyrja në fuqi e MSA-së dhe rekomandimi për vizat janë vërtetim i reformave të suksesshme dhe të thella të Kosovës, në ndërtimin e institucioneve demokratike, në ekonomi dhe në sundim të ligjit.

“Kosova tashmë është konsoliduar brenda dhe jashtë si shtet. Në rajon jemi bërë shembull i dialogut dhe bashkëpunimit. Dialogu me Serbinë ka ndihmuar në integrimin e pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Kosovës, por ka reflektuar edhe në stabilizimin e rajonit”, ka thënë Presidenti Thaçi duke shtuar se me shtetet e rajonit duhet të thellohet më shumë edhe bashkëpunimi ekonomik.

Presidenti Thaçi ka kërkuar përkrahje të mëtejme edhe për anëtarësimin në konventa dhe organizata tjera ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës.

Në anën tjetër, Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka thënë se Bullgaria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se bashkëpunimi mes tyre duhet të zgjerohet edhe në sferën e ekonomisë.

Presidenti Thaçi dhe homologu i tij bullgar kanë shkëmbyer mendime për gjendjen në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivat zhvillimore të rajonit në aspektin politik, ekonomik dhe në fushat tjera të rëndësishme.



Lajme të ngjashme