Meta i bindur për miratimin së shpejti në parlament të reformës në drejtësi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke folur në sesionin e dytë të Konferencës së kryeparlamentarëve të BE-së në Luksemburg ka shkruar bindjen se reforma në drejtësi do të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti.

Meta i bindur për miratimin së shpejti në parlament të reformës në drejtësi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke folur në sesionin e dytë të Konferencës së kryeparlamentarëve të BE-së në Luksemburg, me temë “Forcimi i Bashkimit Europian”, tha se në 25 vitet e fundit shpresat e Shqipërisë, dikur vendi më i izoluar i kontinentit, janë mbajtur lart, falë perspektivës së integrimit europian.

Meta theksoi se hyrja e Shqipërisë në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhur për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar.

“Duke pasur parasysh rastet kur vende si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave europiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën europiane”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë theksoi se kriza ekonomike e pasuar nga një krizë e paprecedent migracioni shumë dimensionale ka testuar kohezionin brenda BE-së dhe ka sfiduar sigurinë tonë shoqërore.

“Mbi të gjitha ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vlerave tona të përbashkëta europiane të solidaritetit, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit shoqëror në të cilat Shqipëria dhe populli shqiptar besojnë ende në mënyrë të palëkundur. Një Bashkim Europian i fortë kërkon një integrim dhe bashkëpunim më të madh dhe më të fuqishëm mes të gjitha shteteve anëtare, si dhe një shtytje përfundimtare drejt përfundimit të projektit europian në ato zona që ende nuk janë integruar, të tilla si Ballkani Perëndimor”, shtoi kryetari i Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në sesionin e dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg

Ndërkaq, duke folur për zhvillimet në Shqipëri, Meta tha se perspektiva europiane është vendimtare për forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin social, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë rajonin, ashtu siç ka qenë rasti për vendet anëtare të BE-së gjatë 60 viteve të fundit.

“Si pjesë e përpjekjeve tona për integrimin europian, në vitin 2013 ne miratuam një ndarje të re territoriale dhe administrative të vendit duke e ulur ndjeshëm numrin e njësive tona vendore për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve vendore. Po ashtu miratuam në parlament paketën ligjore për integritetin e zyrtarëve publikë, që pritet të rrisë luftën kundër korrupsionit, por dhe besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit”.

Kryetari i Kuvendit duke u ndalur tek reforma në drejtësi shprehu bindjen se ajo do të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti.

“Aktualisht po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës ‘Reforma e Drejtësisë’, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive”, deklaroi kryetari i Kuvendit gjatë ndërhyrjes së tij në sesionin e dytë të konferencës.

Z. Meta shoqërohej në këtë aktivitet nga kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade.



Lajme të ngjashme