Kosovë – Miratohet projektligji për luftimin e financimit të terrorizmit

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës është miratuar projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Kosovë – Miratohet projektligji për luftimin e financimit të terrorizmit

Projektligji, i shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar, pasi më parë deputetët me shumicë votash vendosën për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit, u miratua në parim me shumicë votash 59 pro, 4 abstenime e asnjë kundër.

Ministri i Financave Abdullah Hoti, tha se “lufta kundër terrorizmit, lidhet ngushtë me programin e qeverisë, i cili parashikon qasje pro-aktive për bashkëpunim ndërkombëtar, për parandalimin e pastrimit të parave”.

Ai tha se bashkëpunimi dhe ndërveprimi, më i mirë me policinë dhe prokurorinë është jetik.

Po ashtu, Kuvendi ka miratuar në parim edhe projektligjin për Akademinë e Drejtësisë dhe projektligjin për patentë shoferi.

Nga agjenda u hoq pika e 13-të – shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, po ashtu me shumicën e votave të 65 deputetëve të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh.

Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në një seancë plenare me 20 pika në agjendë, duke nisur me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Në agjendë është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Do të votohen, gjithashtu, anëtarët e Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, raporti i Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, raporti i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, si dhe raporti i Performancës së Ndërmarrjeve Publike për vitin 2014.

Në vijim të agjendës është shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave, shqyrtimi i Raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2015, shqyrtimi i Raportit të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2015, si dhe shqyrtimi i Raportit të punës së Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2015.

Kuvendi i Kosovës, në përbërjen aktuale është konstituuar në 8 dhjetor 2014, plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të para afër dy viteve – të 8 qershorit.



Lajme të ngjashme