Shqipëria, mundësi për turizëm të veçantë dhe tërheqës në Mesdhe

Shqipëria, vend që ndodhet në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, me klimë bregdetare dhe malore, ka nisur të tërheqë gjithnjë e më shumë interesin si një destinacion i preferuar për turistët e huaj.

Shqipëria, mundësi për turizëm të veçantë dhe tërheqës në Mesdhe

BeratE përshkruar në shekuj nga historianë evropianë si toka e legjendave, e heronjve dhe e civilizimeve të lashta, e rrethuar me bukuri pa fund, por pak e njohur deri sot, Shqipëria afron të panjohura plot për çdo udhëtar. Përveç historisë, mund të njohë traditat e lashta autentike, kuzhinë të veçantë, njerëz mikpritës.

Si një vend ende i pa prekur nga turizmi masiv, Shqipëria rezervon për këdo peisazhe malore me bukuri të rralla, plazhe magjepsëse, natyrë të paprekur, shpesh të egër dhe dëshmi historike e artistike të veçanta, të cilat përmbledhin pjesën ende të pazbuluar mirë, por me peshë në zhvillimin e historisë së kontinentit evropian.

Për ministren shqiptare të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, Shqipëria është një destinacion në rritje dhe po shkon drejt një konsolidimi në tregun e madh të turizmit. Zhvillimi i qëndrueshëm i këtij sektori në Shqipëri, thotë ajo, padyshim që do të bazohet në investime të ndryshme të cilat do të respektojnë mbi të gjitha komponentin natyror, për ti dhënë zonave ku implementohen këto projekte zhvillim afatgjatë. Qëndrueshmëria e tij lidhet me ruajtjen e tregjeve aktuale, ruajtjen e burimeve tona qofshin ato natyrore apo kulturore. Promovimi i pikave tona nën trashëgiminë e UNESCO-s apo konventës ndërkombëtare të RAMSAR luajnë një rol për të krijuar këtë qëndrueshmëri.

butrint“Janë një mori faktorësh të cilët e bëjnë Shqipërinë të veçantë dhe të preferuar për t’u vizituar si pozicionimi shumë i favorshëm gjeografik, afërsia me tregjet e mëdha dhe të zhvilluara out – going, diversiteti i madh natyror brenda një territori të vogël, klima shumë e favorshme që e bën Shqipërinë një destinacion të mundshëm për t’u vizituar gjatë gjithë vitit, çmimet shumë të arsyeshme dhe kompetitive mbi shërbimet turistike e mbi të gjitha mikpritjen e mrekullueshme dhe të pakonkurrueshme shqiptare. Fatmirësisht këto të “veçanta” po bëjnë që numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë të rritet nga viti në vit dhe ky trend rritjeje parashikohet të vazhdojë edhe gjatë viti 2016”, shprehet Ekonomi.

Në 28.748 km2 sipërfaqe toke me shtrirje nga veriu në jug, me 340 km vijë ajrore, eksperti në fushën e promovimi të turizmit, Sokol Kongoli, thotë se Shqipëria ofron befasi dhe larmi të madhe të peisazheve, të cilat ndryshojnë nga fushat bregdetare, në malet e larta, terrenet e thyera, liqenet e mëdhenj e të vegjël, lugina spektakolare të lumenjve, pyjet, etj. Klima është mjaft e favorshme për të mbështetur çdo lloj aktivitetesh turistike, pasi Shqipëria veçon për numrin e madh të ditëve me diell. Llogaritet që 80 – 90 për qind e ditëve të vitit janë me diell, ose mesatarisht 2.200 orë. Falë kësaj klime, sezoni i plazhit zgjat nga 4-5 muaj në vit. Bregdeti shqiptar shtrihet në 450 km, duke përfshirë lagunat e shumta përgjatë bregdetit të Detit Adriatik, ndërsa pjesa që laget nga deti Jon paraqet plazhe të mrekullueshme në peisazhe hera-herës malore. Të dy detet, Adriatik dhe Jon, kanë tipare të ndryshme fizike nga njëri-tjetri.

Porto PalermoBregdeti Adriatik, që shtrihet nga kufiri me Malin e Zi në veri, deri në Gjirin e Vlorës në jug, shquhet për plazhet e cekëta e ranore, shumë të favorshme për pushimet e familjareve me fëmijë. Në shumë zona, plazhet rrethohen nga pyje pishash dhe ndodhen në gjire të favorshme natyrore. Plazhet më të përmendura përgjatë bregdetit Adriatik janë të Velipojës, Shëngjinit, Gjirit të Lalëzit, Durrësit, Golemit, Spillesë, Divjakës, Semanit dhe Darëzezit.

Këtu gjenden një sërë lagunash të cilat përbëjnë eko-sisteme shumë të favorshme për florën dhe faunën, e në mënyre të veçantë për botën e shpendëve ujore. Përveç lagunës së Kune Vainit në afërsi të Lezhës, një tjetër, ajo Karavastasë me sipërfaqe 44 km2 përbën lagunën më të madhe të bregdetit. Ajo është pika më perëndimore në Evropë ku folezon pelikani kaçurrel. Karavastaja është pjesë e Konventës Ndërkombëtare të RAMSAR që prej vitit 1995. Këto pika natyrore janë shumë të favorshme për ekoturizmit, observimin e shpendëve ujore, etj, dhe vitet e fundit po kthehen në vende mjaft të vizitueshme nga turistët e huaj.

Bregdeti Jonian, që njihet ndryshe si "Riviera Shqiptare", shtrihet nga Vlora në Jug, deri në kufirin me Greqinë. Ky bregdet i lartë i tipit shkëmbor, ka në gjatësinë e vet plot plazhe të vegjël me zalle, duke dalluar për cilësinë mjaft të lartë të ujërave detare dhe thellësinë e tyre. Mjaft të preferuara nga të rinjtë, plazhet e Jonit afrojnë mundësi të shumta për zhvillimin e sporteve ujore, zhytjet nënujore, ndërsa përgjatë Gadishullit të Karaburunit mund të njihen edhe me mbetet e anijeve që nga kohët ilire dhe romake.

ksamilPlazhet më të zgjedhur janë Dhërmiu, Jala, Himara, Qeparoi, Borshi, Ksamili. Qyteti më jugor, që mbyll këtë bregdet në kufijtë shqiptarë është Saranda, afër të cilës gjendet Butrinti i njohur në periudhën antike, vitet e fundit po tërheq përherë dhe më shumë interesin nga kompani të huaja për ngritjen e hoteleve 5 dhe 4 yje, vilave, fushave të golfit dhe mjediseve sportive.

Vitet e fundit portet shqiptare të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës janë kthyer në stacione qëndrimi për “krocierat” ndërkombëtare, që lundrojnë nëpër Mesdhe. Në Gjirin e Vlorës pranë qytezës së vogël të Orikumit gjendet porti i jahteve, “Marina Orikum“, me kapacitet parkimi për 65O jahte, duke u bërë pikë e preferuar për ankorimin e tyre sidomos nga turistët që vijnë nga Italia fqinje.
Pasi mund të zbulosh vijën bregdetare turistike, jo pak befasi afron pjesa e brendshme e Shqipërisë malore, ku 2/3 e tokës zihen nga kodra dhe malet, që janë një tjetër potencial i madh për zhvillimin e turizmit malor dhe aktiviteteve out–going .

TomorrZonat më popullore për turizmin malor janë Alpet e Shqipërisë në veri në kufi me Malin e Zi dhe Kosovën. Zonat si Parku Kombëtar i Thethit, Vermoshi, Razma dhe lugina e Valbonës janë pika turistike të njohura dhe të frekuentuara ndërkombëtarisht. Gjithë turizmi malor në Alpet është i organizuar me akomodime në guest–house (shtëpi karakteristike të tipit kulla), ku afrohet vetëm ushqim tradicional organik. I njëjti lloj turizmi malor afrohet gjithashtu edhe në Juglindjen e Shqipërisë, në rajonin e Korçës me pikat e njohura turistike si Voskopoja, Dardha, Vithkuqi, etj. Në këto zona krahas bukurive natyrore, pistave natyrale për ski, vizitorët mund të njihen me kulturën Mesjetare shqiptare duke vizituar objekte të trashëgimisë kulturore e religjioze, siç janë komplekset e kishave në Voskopojë e Vithkuq.

Në mes të Shqipërisë gjenden zona të njohura për aktivitete në natyrë (out-going) ku preferohen sported e rafting në Luginën e Osumit pranë qytetit të Çorovodës, në Lumin Vjosa pranë Përmetit ku gjenden dhe ujra termale, në Shalë e Devoll. Për sportet ajrore në qafën e Llogarasë dhe malet e Moravës, biçikletat malore në Theth, turet me biçikleta rreth liqenit të Shkodrës, etj

Kalaja e RozafesPasurive të mëdha të natyrës i shtohet bukur një trashëgimi e pasur historike e kulturore, thotë Kongoli. E ndodhur në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, Shqipëria njihet si vend i një qytetërimi të lashtë, ku kanë kaluar dhe janë prezente shumë kultura, ndër të cilat gjurmët ilire, greke, romake, bizantine , postbizantine, otomane dhe veneciane. Në Shqipëri gjen bashkë të qëndrojnë afër njëri tjetrit manastiret bizantinë me minaretë e xhamive, apo gjurmët e ngulimeve antike greke në Butrint e Apolloni.

Sipas Kongolit, Shqipëria ka tre site, pjesë të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Parku Arkeologjik i Butrinit ndodhet në skajin më jugor të vendit, afër Sarandës dhe pranë kufirit me Greqinë dhe ishullin e Korfuzit. Është pika arkeologjike më e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj, ndërsa vlerësohet si një prej site-ve më të rrallë në Evropë. E quajtur si një "Trojë e dytë" për shkak të mitologjisë së saj, rrënojat e shumta të periudhave helene, romake, bizantine e veneciane janë të rrethuara nga një xhungël e vërtetë sub tropikale me dafina dhe drurë të lartë, që përbën një eko-sistem më vete. Për këtë arsye Butrinti ka statusin dhe të Parkut Kombëtar.

GjirokastraDy sitet e tjera të UNESCO-s janë qytetet me arkitekturë tipike, Berat dhe Gjirokastër. Në Berat (120 km në jug të Tiranës) gjendet një kala, që banohet prej mbi 2.500 vitesh e deri në ditët e sotme. Aty ka një kompleks kishash para dhe postbizantine, në një prej të cilave është vendosur Muzeu Ikonografik i Onufrit, një prej ikonografëve më të shquar shqiptarë të shek XVI, punimet e të cilit gjenden edhe në kisha e manastire në vende të tjera të Ballkanit. I vendosur në kodra, Berati quhet dhe "qyteti i një mbi një dritareve" për shkak të arkitekturës së rrallë që paraqesin lagjet me ndërtime mesjetare deri në ditët e sotme.

Site i tretë i UNESCO-s, Gjirokastra, gjendet në jug të Shqipërisë dhe dallon për ndërtesat e gurta dhe çatitë me rasa guri gjithashtu. Është vendlindja e Ismail Kadaresë, një shkrimtar që ka njohur famën botërore i kandiduar disa herë për çmimin Nobel në Letërsi. Sivjet shtëpia e tij e restauruar është kthyer në një muze për turistët. Në Gjirokastër gjendet kështjella më e madhe e Shqipërisë, ku çdo katër vjet organizohet festivali “Folklorik Kombëtar”, ku performojnë grupet popullore nga gjithë krahinat e Shqipërisë si dhe nga shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, arbëreshet e Italisë dhe arvanitasit në Greqi .
Shqipëria ruan sot edhe një rrjet parqesh arkeologjike, kështjella të periudhave të ndryshme, ura të vjetra, kisha e manastire bizantine e postbizantine, xhami të periudhës otomane, pazare mesjetare, ku spikat Pazari i Krujës.

TiranaKryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, ndodhet në qendër të vendit dhe ka pozitë të favorshme, pasi është vetëm 32 km larg nga porti kryesor i Durrësit dhe 12 km larg nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza “. Si qendra më e madhe politike, ekomomike dhe kulturore e vendit, Tirana ofron mundësi për turizmin e seminareve dhe konferencave me lehtësirat që ofrojnë një rrjet i mirë i hoteleve. Kryeqyteti shquhet për jetën e natës, objektet nga periudha ish-komuniste, siç janë Lagjja e "Bllokut" (ish rezidenca e drejtuesve të lartë të shtetit komunist), mes tyre dhe shtëpia ku jetoi udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Objekte të tjera tërheqëse janë ish-muzeu i tij , i quajtur nga vendasit si “Piramida“ (për shkak të trajtës që ka). Muzeu Historik Kombëtar (më i madhi në vend), Muzeu Arkeologjik, Galeria e Arteve të Bukura, Bunkarti (një bunker i mbrojtjes bërthamore në periferi të Tiranës), i përshtatur për vizitorët, mbeten pikat më të vizituara për çdo turist që viziton kryeqytetin shqiptar.

Shqipëria po bën përpjekje për të promovuar turizmin si faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, shpjegon Kongoli në bisedën e tij, ndaj dhe merr pjesë pjesë në disa panaire ndërkombëtare të turizmit, mes tyre, I.T.B Berlin dhe W.T.M. Londër.

“Shqipëria është një territor i vogël, por me shumë potenciale dhe produkte të ndryshme të zhvilluara, që i jep mundësinë një turisti të prekë eksperiencën e diellit, plazhit, të prekë eksperiencën e turizmit rural, pasi ka mundësi të njohë territore të brendshme. Duke qenë një vend i vogël, itineraret i japin mundësi çdo turisti të prekë disa eksperienca. Pozicioni gjeografik i jep mundësinë turistit që të bëhet edhe pjesë e itinerareve ballkanike”, thotë një ndër ekspertet më të njohura të turizmit shqiptar, Franka Paloka.

Rruga EgnatiaAjo nënvizon se paralelisht me turizmin e diellit dhe plazhit, zhvillime po njeh turizmi i interesit të veçantë, si turizmi rural, i sportit, i aventurës, turizmi eko. "Këto forma konsiderohen pjesë e turizmit të brendshëm në territorin e vendit dhe duke qenë se nuk kanë nevojë për investime të mëdha, janë format më të mundshme për tu zhvilluar shpejt. Ne mund të tërheqim turistët e interesuar për të njohur kulturën, për të bërë aventura në territor, siç mund të jenë udhëtimet e turistëve që ndjekin një itinerar të caktuar me biçikleta, mjete transporti të ndryshme, ose rrugë të ndryshme, që janë atraktive për aktivitete alpinizmi ose aktivitete eskursioniste", shpjegon Paloka.

Ajo veçon dy itenerare që tashmë janë bërë pjesë e itinerareve ndërkombëtare. Interes po paraqet "Via Egnatia", ndërtimi i të cilës nisi nga gjysma e dytë e shekullit II p.e.s., si një rrugë drejtuese mijëvjeçare komunikimi midis perëndimit dhe lindjes, midis Adriatikut të Poshtëm dhe Egjeut Verior. Itineraret në "Via Egnatia" janë shumë të rëndësishme, sepse njihen ndërkombëtarisht si itinerare ku një turist që niset për të ndjekur një itinerar të tillë, futet në një hartë ndërkombëtare që del jashtë territoreve të vendit. Së fundi, shpjegon Paloka, po tërhiqen mjaft turistë në një produkt që po zhvillohet me shpejtësi. Një tjetër itinerar është edhe "Silk Road", ose Rruga e Mëndafshit, që lidh vendet Mesdhetare me Azinë Lindore e ku Shqipëria është pjesë e tij.

divingTë gjitha këto produkte turistike, po bëjnë që turistët ndërkombëtarë të shohin Shqipërinë përherë dhe më shumë si destinacion atraktiv turistik. Të gjitha segmentet turistike që afron Shqipëria lidhen shumë bukur me turizmin e diellit dhe plazhit, ku çdo turist mund të ndërthurë eksperiencat. “Sot nuk kemi më turistin që vjen vetëm për plazh, apo për të bërë një aktivitet në darkë në njësinë e akomodimit. Sot vjen një turist i interesuar të shkojë më tej, të shohë territorin ku të kalojë eksperienca, të njoh kulturën, traditën që përcillet nga shekujt, gatimet që ofrojnë zona të veçanta.  Duke e parë Shqipërinë si pjesë të produktit ballkanik, vetë pozicioni gjeografik na bën më interesantë, ndaj dhe qeveria po punon shumë që brenda këtij itinerari të madh, ta “detyrojë” çdo turist që të qëndrojë sa më shumë në Shqipëri. Por tërheqëse e bën Shqipërinë edhe çmimi i paketës turistike, që është më e ulët se në vendet e tjera. Në Shqipëri një turist merr të gjitha kënaqësitë përkundrejt një çmimi më të ulët në raport me vendet e tjera”, shpjegon Franka Paloka.

Edhe raportet e fundit ndërkombëtare, flasin se Shqipëria është në pozicione të mira për nivelin e çmimeve në raport me një turist që kalon një eksperiencë në Evropë.



Lajme të ngjashme