Kosovë - Vendosen marrëdhëniet diplomatike me Belizenë

Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesja e Përhershme e Belizesë në OKB dhe i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Kosovë - Vendosen marrëdhëniet diplomatike me Belizenë

Në një ceremoni rasti të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes të Republikës së Kosovës dhe Belizesë.

Njoftimi i dërguar nga Nju Jorku thekson se, përmes kësaj marrëveshjeje të dy qeveritë janë pajtuar që të thellojnë marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve, të zgjerojnë fushat e bashkëpunimit bilateral, si dhe të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrafshin e politikës ndërkombëtare.

Marrëveshja është nënshkruar nga Përfaqësuesja e Përhershme e Belizesë në Kombet e Bashkuara, ambasadorja Lois M. Young, e cila ishte e shoqëruar nga ambasadorja Janine Coye Felson, zëvendësshefe e misionit dhe i ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ylber Kryeziu.

Me këtë rast, Kryeziu ka falënderuar ambasadoren Young dhe Qeverinë e Belizesë për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës, përkrahjen e vazhdueshme të axhendës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe ndikimin që ka luajtur Belizea në lobimin për njohjen e Republikës së Kosovës nga shtetet e hemisferës perëndimore.

Ndërsa ambasadorja Young, duke rikujtuar sfidat e ngashme në të cilat ka kaluar shteti i Belizesë gjatë procesit të anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, uroi Kryeziun për arritjet e Republikës së Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe ka siguruar se Belizea do të vazhdojë të luajë një rol mbështetës për njohjen e mëtutjeshme të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Rëpublikës së Kosovës dhe Belizesë gjithashtu i është dërguar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për t’u përcjelle tek të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.



Lajme të ngjashme