Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë dhe Malit të Zi në NATO

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Brukse rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë.

Bujar Nishani-NATO.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua të enjten me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani në Bruksel, ku mësohet se është diskutuar rreth përgatitjeve për Samitin e Varshavës.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për mediat me Nishanin, Stoltenberg vlerësoi Shqipërinë për kontributin e saj për forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, ka pohuar se bashkëpunimi i Tiranës zyrtare me fqinjët ndihmon në stabilitetin e rajonit.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës së Shqipërisë, theksohet se Nishani shprehu mbështetjen për vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, sipas tij, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor.

Nishani inkurajoi gjithashtu rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, si një garanci e shtuar në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.

Sipas njoftimit zyrtar edhe në këtë takim u trajtua bashkëpunimi rajonal dhe kriza e refugjatëve. Nishani theksoi se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, si dhe se do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për kapërcimin e krizës së refugjatëve, në kuadrin e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane.



Lajme të ngjashme