Lideri i opozitës maqedonase vë kushte për takimin e Vjenës

Zoran Zaev deklaroi se do të shkonte në takimin e Vjenës për zgjidhjen e krizës politike vetëm nëse presidenti do të revokonte vendimin për amnistinë e politikanëve të përfshirë në hetime dhe nëse parlamenti do të anulonte vendimin për zgjedhjet.

Lideri i opozitës maqedonase vë kushte për takimin e Vjenës

”Nuk ka ende kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike”, deklaroi Zaev në një konferencë shtypi.

Pritet që kryetarët e katër partive kryesore politike maqedonase të takohen të premten e ardhshme në Vjenë, në një përpjekje për kapërcimin e krizës politike në vend.

Në këtë takim pritet të marrin pjesë ish-kryeministri Nikola Gruevski i partisë së qendrës së djathtë në pushtet, VMRO-DPMNE, kryetari i Unionit Socialdemokrat të Maqedonisë, Zoran Zaev, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Maqedonia ka qenë e përfshirë nga kriza politike që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014. Kjo krizë arriti pikën e vlimit kur presidenti Gjorge Ivanov amnistoi 56 politikanë të përfshirë në çështje penale. Shtatë prej tyre, përfshirë Zoran Zaev dhe ish-presidentin Branko Cërvenkovski, kërkuan që hetimet të vazhdonin. Gjithashtu, dekreti i presidentit Ivanov shkaktoi edhe një valë protestash.



Lajme të ngjashme