Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Maqedoni - Presidenti Ivanov, amnisti për të gjithë politikanët nën hetim

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, shpalli të martën amnisti për të gjithë politikanët nën hetim dhe kundër të cilëve është ngritur akuzë, si edhe për një politikan që është duke vuajtur dënimin me burg.

Maqedoni - Presidenti Ivanov, amnisti për të gjithë politikanët nën hetim

Në një fjalim para qytetarëve, Ivanov theksoi se vendimin e ka marrë në interes të shtetit dhe të kombit për dhënien fund të krizës politike.

“Me qëllim që të kontribuoj në zgjidhjen e krizës dhe relaksimin e marrëdhënieve dhe zvogëlimin e tensioneve midis forcave politike të ndryshme dhe mbështetësve të tyre, ndërsa i vetëdijshëm për pasojat për shtetin dhe qytetarët nëse asgjë nuk ndërmerret në këtë krizë të rëndë, i vetëdijshëm për pasojat mbi mua me ndërmarrjen e këtij hapi, por edhe me besimin e fuqishëm se jam duke sjellë vendim në interes të shtetit dhe kombit, stabilitetit të tij dhe pavarësisë, vendosa që t'i jepet fund kësaj agonie në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Ivanov.

Ai sqaroi se vendimin e ka nënshkruar të martën dhe se ai hyn në fuqi menjëherë.

Ivanov vlerësoi se kriza është në interes të të huajve dhe për qëllimet e të huajve, për dikë që dëshiron ta realizojë qëllimin përmes liderëve të konfrontuar politikisht dhe mbështetësve të tyre.

“E gjithë ajo që ndodhi periudhën e kaluar rezultoi me kompromentim të paparë politik deri më tani, me politikë të konflikteve dhe shkatërrimit të ndërsjellë, revanshizëm të pafund dhe urrejtje dhe konfrontim personal. Shikoni se çfarë u bënë politikanëve tanë edhe të pushtetit edhe të opozitës. Ata aq shumë kanë luftuar sa që gjërat shkuan shumë larg dhe u bënë shumë personale. Hapën midis tyre aq shumë procedura penale saqë tani edhe të parët edhe të dytët janë të gatshëm të përdorin çfarëdo mjeti të mundshëm vetëm e vetëm të mos dështojnë në zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk e dinë se deri ku shkon ana tjetër në thellimin e larjes personale të hesapeve, revanshizmit, urrejtjes dhe ksenofobisë”, tha Ivanov në fjalim.

Ndërkohë, partia në pushtet, VMRO-DPMNE kundërshtoi ashpër veprimin e djeshëm të Presidentit Gjorge Ivanov.

“VMRO-DPMNE me habi dhe mosbesim e ndoqi konferencën për shtyp të Presidentit Gjorge Ivanov. VMRO-DPMNE nuk dyshon se presidenti Ivanov gjithmonë ka pasur qëllime të ndershme dhe të mira, duke u nisur prej interesave nacionale dhe shtetërore dhe idenë për pajtim nacional dhe unitet, e cila vlerësojmë se gjithmonë është e nevojshme. Megjithatë në rastin konkret dëshirojmë të shfaqim mospajtim të fuqishëm me këtë veprim të tij”, thuhet në kumtesë.

Sipas VMRO-DPMNE-së, ata të cilët e kanë shkaktuar krizën politike përmes intrigave dhe sjelljes destruktive duhet të përgjigjen.



Lajme të ngjashme