Policia e Shqipërisë dhe FRONTEX-i forcojnë bashkëpunimin dypalësh

Zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, zhvilloi të enjten një takim me zëvendësdrejtorin e FRONTEX-it, Berndt Koerner, ku u nënvizua forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe ngritja e tij në një nivel më të lartë.

Policia e Shqipërisë dhe FRONTEX-i forcojnë bashkëpunimin dypalësh

Gjatë këtij takimi u evidentua bashkëpunimi i deritanishëm mes Policisë së Shtetit dhe FRONTEX-it, si dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit për çështje në interes dypalësh.

Zv/drejtori i Policisë së Shtetit vlerësoi asistencën e vazhdueshme të FRONTEX-it, në mënyrë të veçantë për Policinë e Kufirit dhe Migracionit, si dhe për ekspertizën dhe trajnimin e strukturave të Policisë Kufitare Shqiptare për eskortimin në operacione të kthimit.

Punonjësit e strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë marrë pjesë aktive në operacionet e përbashkëta të organizuara nga FRONTEX, që kanë konsistuar në shkëmbimin e punonjësve të Policisë Kufitare të Shqipërisë në vendet e BE-së dhe ekspertëve të vendeve të BE-së në Shqipëri, duke dhënë ndihmesën e tyre nëpërmjet eksperiencës dhe praktikave më të mira të vendeve të tyre në fusha të ndryshme si: Kontrolli në vijën e dytë, dokumentet e falsifikuara, zbulimi i automjeteve të vjedhura etj.

Nga ana e tij, zëvendësdrejtori i FRONTEX-it konfirmoi mbështetjen e tij për Policinë Shqiptare dhe vlerësoi projektligjin e ri për kontrollin kufitar, i cili do të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përgjithësi dhe specifikisht me Kodin e Kufijve Schengen, për të siguruar një kontroll kufitar të standardeve evropiane dhe për të përballuar sfidat e sigurisë kufitare.

Zëvendësdrejtori i FRONTEX zhvilloi takim edhe në nivel ekspertësh me përfaqësues të Policisë së Kufirit e Migracionit.

Prioritet i këtij takimi ishin çështjet e dakordësuara në takimin e drejtorit të Policisë së Shtetit në zyrat e FRONTEX-it në Varshavë, konkretisht marrëveshja e bashkëpunimit mes Policisë Kufitare e Migracionit dhe FRONTEX-it, ku në këtë drejtim është hartuar edhe drafti përkatës.

Njëherazi u diskutua mbi mundësinë e pjesëmarrjes së forcave të Policisë Kufitare Shqiptare në operacione shoqërim-kthimi të shtetasve të ndryshëm drejt vendeve të origjinës, kjo falë eksperiencës së përfituar në kuadër të trajnimeve të zhvilluara nga FRONTEX-i, për të cilën është i nevojshëm jo vetëm fuqizimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi me vendet anëtare të FRONTEX-it, por dhe rishikimi i detajeve teknike dhe legjislative për ta lehtësuar atë, nën koordinimin e FRONTEX-it.

Përfaqësuesit e Policisë Kufitare dhe Migracionit, me numrin e trajnuesve në rritje të përgatitur nga FRONTEX-i, shprehën dakordësinë dhe vullnetin për të marrë pjesë së bashku me FRONTEX-in në shpërndarjen e këtyre njohurive në trajnimet, që mund të bëhen për këtë çështje në vendet e tjera të rajonit.

(FRONTEX është Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Vendeve Anëtare të BE-së)



Lajme të ngjashme