Avramopoulos: Europa u gjend e papërgatitur në krizën e refugjatëve

Komisioneri i Bashkimit Europian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ka pohuar sot në Tiranë se Evropa nuk ishte e përgatitur për krizën e refugjatëve.

453478
Avramopoulos: Europa u gjend e papërgatitur në krizën e refugjatëve

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, ka pohuar sot në Tiranë se në rast se Shqipëria përfshihet nga një fluks i mundshëm i refugjatëve, nuk do të jetë vetëm, por do të ketë ndihmën e institucioneve të BE-së.

Avramopoulos dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, pas takimeve që kanë pasur mes tyre, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, ku ata kanë folur për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë, krizën e refugjatëve, dhe çështje të tjera.

Tahiri ka pohuar në fjalën e tij, lidhur me krizën e refugjatëve, se Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj dhe të mbajë përgjegjësitë që i takojnë.

"Patëm mundësi të shkëmbejmë ide, sa i takon bashkëpunimit më të mirë me institucionet e veçanta të tilla si Europoli, apo iniciativa të veçanta rajonale, për ta bërë rajonin më të sigurt, krijimin e marrëdhënieve më të ngushta, që rezultatet kundër krimit dhe terrorizmit të jenë produkt i bashkëpunimit tonë. Në mënyrë të veçantë diskutuam edhe për fluksin e migrantëve, që është një shqetësim dhe një emergjencë humanitare që i bën thirrje shoqërisë dhe solidaritetit ndërmjet popujve. Shqipëria është e gatshme të bëjë detyrat e saj, të mbajë përgjegjësitë e veta, e konceptuar kjo si një përpjekje në kuadër të një plani europain" u shpreh Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, Shqipëria për këtë krizë është e gatshme të kontribuojë përkrah me vendet e rajonit dhe BE-së, duke shtuar se: "Ndamë bindjen që duhet më shumë koordinim mes nesh edhe në këtë kuadër, nga shkëmbimi i informacionit, deri tek disponimi e strukturave solide për pritjen paraprake, edhe kjo e konceptuar si një përpjekje e përbashkët e BE-së dhe vendeve rajonit. Ne duhet të veprojmë shpesh në kohë, që të jemi të përgatitur për çdo situatë për fluksin e refugjatëve".

Avramopoulos u shpreh se është hapur tashmë një kapitull i ri në marrëdhëniet mes BE dhe Shqipërisë.

"Me ministrin Tahiri patëm një diskutim shumë të frytshëm, për bashkëpunimin tonë, por edhe për sfidat e sigurisë dhe që lidhen me migracionin. Dëshiroj të vlerësoj Shqipërinë dhe punën që ka bërë për trajtimin e krizës së refugjatëve. Siç e dini Evropa po përballet me një situatë të paprecedentë dhe nuk ishte e përgatitur, as shtetet anëtare nuk ishin të përgatitura për t'u përballur me një situatë kaq komplekse. Ne ende nuk e dimë se kush do të jenë pasojat e vërteta. Shqipëria nuk gjendet vetëm në trajtimin e kësaj situate. Deri më tani nuk ka shenja që Shqipëria të jetë ndikuar nga flukse emigrantësh, pro po monitorohet situata në terren"-theksoi komisioneri i BE-së.

Ai ka pohuar se Turqia është një aktor kyç në gjithë rajonin dhe sipas tij Shqipëria nuk do të jetë e papërgatitur dhe do të ketë ndihmën e BE-së në rast të një fluksi refugjatësh.

Më herët zyrtari lartë i BE-së u takua me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Bujar Nishani. Duke u ndalur tek flukset migratore që po përdorin "Korridorin Ballkanik" për të hyrë në Evropë, Nishani vuri në dukje se si Shqipëria ashtu edhe të gjitha vendet e Ballkanit dhe Evropës e kanë pjesë të historisë së tyre fenomenin e emigracionit.

Ndërsa kreu i Qeverisë Shqiptare, Edi Rama, lidhur me krizën e refugjatëve ka theksuar: “Shqipëria është gati, sikundër ka qenë dhe do jetë gjithmonë gati brenda mundësive dhe kapaciteteve tona për të marrë rolin e saj, në kuadër të një plani të përbashkët të Bashkimit Europian".



Lajme të ngjashme