Muniz: SHBA-të dhe Shqipëria do të rrisin dhe forcojnë marrëdhëniet

I ngarkuari me punë i Ambasadës amerikane në Tiranë, David Muniz, vizitoi të martën Universitetin "Marin Barleti", ku pati një diskutim interesant rreth 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë.

Muniz: SHBA-të dhe Shqipëria do të rrisin dhe forcojnë marrëdhëniet

Lajmi bëhet i dituar nga një postim në faqen e Ambasadës amerikanë në Tiranë, ku thuhet: "I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Muniz, gjatë vizites në Universitetin 'Marin Barleti' pati në fokus marrëdhëniet midis dy vendeve, që janë zhvilluar në mënyrë graduale, për sa i përket atyre midis qeverive, por më së shumti atyre midis njerëzve. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria ulen në të njëjtin tavolinë të Këshillit Atlantik të Veriut, si aleatë dhe partnerë, të cilët ndajnë të njëjtat vlera, por edhe sfida".

Po ashtu, i ngarkuari me punë i Ambasadës, Muniz, foli me studentë të Juridikut, Ekonomikut dhe Shkencave Politike edhe për prioritetet kryesore të qeverisë amerikane në Shqipëri, përfshi këtu adoptimin dhe fuqizimin e reformave kyçe, promovimin e sigurisë së përbashkët, forcimin e institucioneve demokratike, si dhe zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik.

Në mbyllje të fjalës së tij, Muniz citoi sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më pak se një muaj më parë: "Unë ndodhem sot këtu se ne jemi miq. Dua ta theksoj këtë. Ne jemi aleatë. Shqipëria ka bërë zhvillim të rëndësishëm dhe është e angazhuar, kjo pa më të voglin dyshim, për të arritur edhe më tepër. Dhe duke bërë këtë, Shqipëria mund të mbështetet në miqësinë dhe besimin e popullit amerikan dhe të qeverisë sonë. Unë ju premtoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria do ta rrisin dhe forcojnë këtë marrëdhënie kaq të veçantë, që ne kemi sot."

Në fund të diskutimit pati shumë pyetje nga studentët e pranishëm.



Lajme të ngjashme