Shqipëria do të japë kontributin e saj për refugjatët sirianë

“Për sa i takon përballimit të kësaj krize, sigurisht që Shqipëria do të japë kontributin e saj për aq sa i ka mundësitë dhe kapacitetet e saj”, theksoi Kryeparlamentari Meta nga Gjirokastra, ku kishte shkuar për të festuare Ditën e Verës.

Shqipëria do të japë kontributin e saj për refugjatët sirianë

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zgjedhur qytetin e Gjirokastrës për të festuar Ditën e Verës nga ku uroi të gjithë qytetarët për 14 Marsin.

“Sot është Dita e Verës dhe ishte një kënaqësi për të festuar me të rinjtë dhe të rejat e Gjirokastrës. Dita e verës, që simbolizon një shpresë, një ripërtëritje dhe shpresa më e madhe në këtë vend është rinia. Sa më shumë të rinj të bashkuar, të motivuar të talentuar të kemi, aq më e madhe është shpresa, aq më e madhe është fuqia për të përballuar të gjitha sfidat me të cilat vendi ynë ndeshet”, tha Meta.

I pyetur mbi refugjatët sirianë të cilët duket se janë afruar gjithnjë e më shumë kufirit shqiptar kur duket se qeveria greke po i shtyn ata drejt Shqipërisë, Meta u përgjigj se, “zgjidhja kryesore lidhur me krizën e refugjatëve, nuk është thjesht përballimi dhe pasojat e krizës, por është përqendrimi i BE-së, i ShBA-se dhe i aktorëve të tjerë të rëndësishëm, për t'i dhënë fund konfliktit në Siri dhe vatrave të konfliktit dhe në zona të tjera, nga ku kemi aktualisht burimin e krizës, por edhe burimin e refugjatëve që duan t'i largohen luftës”.

“Për sa i takon përballimit të kësaj krize, sigurisht që Shqipëria si një vend demokratik, por edhe si pjesë e komunitetit euro-atlantik dhe atij evropian në ndarjen e vlerave, jam i bindur do të japë kontributin e saj për aq sa i ka mundësitë dhe kapacitetet e saj”, theksoi Meta.



Lajme të ngjashme