Dita e Verës festohet edhe në Kosovë

“Dita e Verës” në Elbasan, që festohet në çdo 14 mars në Shqipëri, festohet në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm edhe në Kosovë si “Dita e Verëzës”.

Opoja_Kosova_1.jpg

Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë Dita e Verëzës, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës në Malet e Sharrit në lartësi mbidetare më se 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.

Edhe pse ka ide, në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës të lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli.

Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara", në prag të Ditës së Verëzës, pasdite dhe në mbrëmje të rinjtë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshkëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drurë e shkurre dëllinje, dhe ndezin zjarre.

Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.

Në Ditën e Verëzës zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë. Në drekën e Ditës së Verëzës në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegtori të zhvilluar.

Dita e Verëzës festohet në familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë. Dhe, është ditë e fillit të verës së re.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik, në prag të Ditës së Verëzës, sot, Kosova përfshihet nga reshjet e shiut në gjithë territorin, ndërsa në viset malore do bjerë edhe dëborë.



Lajme të ngjashme