Kriza e emigrantëve - Merkel: Të sigurohet kufiri i Shqipërisë dhe Maqedonisë me Greqinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë thirrje që autoritetet të sigurojnë kufirin e Shqipërisë dhe Maqedonisë me Greqinë për të parandaluar kalimin ilegal të emigrantëve.

Kriza e emigrantëve - Merkel: Të sigurohet kufiri i Shqipërisë dhe Maqedonisë me Greqinë

Deklarata e saj erdhi gjatë një konference të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, ku u fol për menaxhimin e situatës së vështirë të krijuar nga fluksi i emigrantëve. Merkel theksoi se për të tejkaluar krizën është shumë e nevojshme që të ketë bashkëpunim midis shteteve evropiane dhe Turqisë.

“Të sigurojmë kufijtë e Shqipërisë dhe Maqedonisë me Greqinë”, ka qenë ky apeli i Kancelares Angela Merkel, e cila ka bërë thirrje që në rrugën ballkanike të marrë fund kalimi ilegal i emigrantëve.

Ajo tha se për të arritur një gjë të tillë duhet të ketë bashkëpunim midis të gjitha vendeve dhe se sigurimi i kufijve mund t'i japë mundësi Greqisë që të menaxhojë më lehtësisht situatën.

“Duhet gjithashtu që të mundësojmë strehim për të gjithë azilkërkuesit. Zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me Turqinë. Kooperimi mund të rivendosë stabilitet në Greqi”, theksoi Merkel.

Aktualisht në territorin grek ndodhen afro 33.000 refugjatë, të cilët pritet të kthehen përsëri në Turqi, në rast se marrëveshja e arritur paraprakisht me qeverinë e Ankarasë do të miratohet plotësisht në samitin e radhës, që do të mbahet përgjatë datave 17 dhe 18 mars.

Fluksi i lartë i azilkërkuesve ka krijuar një situatë mjaft të vështirë në Greqi, e sidomos në kufirin e saj me Maqedoninë, ku prej javësh mijëra emigrantë kanë mbetur të bllokuar.

Nga ana tjetër, qeveria greke ka njoftuar se do të fillojë sot vendosjen e emigrantëve të parë në zonën e Epirit, vetëm pak kilometra nga kufiri me Shqipërinë.

Vendosja e 2.000 emigrantëve të parë do të kryhet në bazë të një plani të organizuar që prej disa ditësh nga Ministria e Emigracionit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, për shpërndarjen e më se 70.000 emigrantëve që pritet të bllokohen në Greqi gjatë muajve të ardhshëm.

Vlen të përmendet që, nëse do të jetë e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të mirëpresë refugjatë.

Ky qëndrim i Tiranës zyrtare është theksuar më përpara nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në ministerialin e posaçëm të Bashkimit Evropian për krizën e refugjatëve.

Në kuadër të përpjekjeve kolektive për t'iu përgjigjur krizës së refugjatëve, Shqipëria ka përgatitur një plan emergjence duke vlerësuar kapacitetet ekzistuese dhe nevojat, në rast se preket nga ky fenomen.


Përgatiti: Arben Halluni - Shkodër, Shqipëri



Lajme të ngjashme