Greqi – Idomeni, purgatori i shiut dhe baltës për 15 mijë emigrantë

Janë nata dhe dita më e gjatë për 13 mijë migrantë, sipas medias greke, 15 mijë sipas vlerësimeve të tjera, të dyndur në fshatin Idomeni, në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë.

Yunanistan İdomeni Idomeni mülteci göç

Një kufi që mbetet i mbyllur që nga dita e hënë, ndërkohë që mbi emigrantët bie një shi i ngrirë dhe terreni përreth tyre është shndërruar në një kënetë balte dhe ku gjithçka mbështillet nga mjegulla.

Skenat e dëshpërimit tregojnë refugjatë të kapur pas rrjetave të telit të ngritura nga pala maqedonase, rrjeta që ndërpresin linjën hekurudhore, ndërkohë që përpiqen të mbulohen me çka gjejnë, para së gjithash me qeset e mëdha plastike të mbeturinave.

Janë të pakët ata që kanë veshje kundër shiut.

Çadrat alpine të vëna në dispozicion nga disa OJQ dhe agjenci humanitare janë të stërmbushura dhe që nga momenti kur brenda tyre nuk mund të ndezësh zjarr, ndërkohë që edhe jashtë zjarret e ndezura janë shuar nga shiu, emigrantët mjaftohen vetëm me atë që kanë mbi supe.

Shumë prej tyre kanë dy javë që presin të kalojnë kufirin.

Të tjerë refugjatë kanë kaluar natën nën tendën pranë një pike kufitare, që gjatë ditëve të kaluara u hap "me pikatore" për kalimin e emigrantëve.

Në spitalin e Kilkisit, që gjendet aty pranë dhe që ka mungesa të theksuara personeli, ndodhen fëmijë të sëmurë, të shkatërruar nga i ftohti dhe mungesat e shumta.

Këtu shërbehet edhe ushqim për fëmijët jashtë spitalit, por kjo është si një pikë uji në oqean.

Dy fëmijë, 11 dhe 13-vjeçarë, u goditën nga shkarkesa elektrike e një kablloje të tensionit të lartë përgjatë hekurudhës, fatmirësisht me pak pasoja.

Këtyre fatkeqësive u bashkohet edhe matrapazllëku, pasi, sipas autoriteteve lokale, shumë tregtarë të zonës kanë rritur çmimet vetëm për refugjatët.

Një agjenci pagoi 50 euro për çdo emigrant për të udhëtuar nga Pireu në Idomeni.

Një shofer i një autobusi grek u arrestua pasi shiste bileta për udhëtime në kufirin maqedonas duke u thënë refugjatëve se kufiri ishte hapur.

Përballë kësaj drame, që mund të kthehet në tragjedi, mbërrin apeli i UNICEF-it.

"Idomeni po zhytet në baltë. I njëjti rrezik ekziston edhe për Evropën. Mijëra fëmijë jetojnë prej ditësh të tëra në Idomeni mes baltës, shiut, të ftohtit; çka përbën rrezik të madh për sëmundje dhe vdekje. Duhet të ndalojmë këtë gjë. Nuk ka fjalë për të përcaktuar këtë situatë", thotë Andrea Iacomini, zëdhënës i Zyrës së UNICEF-it në Itali.

"Përballë negociatave të vështira në Evropë, u propozoj të gjithë liderëve të saj që ta bëjnë takimin e tyre këtu, në Idomeni. Vetëm duke e parë realitetin me sytë e tyre, vetëm duke parë se në ç'pikë kemi arritur dhe se në çfarë kushtesh ndodhen fëmijët e pafajshëm të vendeve ku ka luftë, shefat e shteteve dhe të qeverive evropiane mund të kuptojnë se duhet t'i jepet fund kësaj tragjedie njerëzore evropiane", thekson Iacomini.

Ndërkohë që 1.500 persona të tjerë priten sot në Pire, sipas autoriteteve greke, në vend ka 34.000 emigrantë, 6.800 prej të cilëve në ishujt e Dodekanezit, në Lesbos, Samos, Kios, Kos, Leros dhe Kalimnos.

Të martën, ministri grek i Emigracionit, Joanis Muzalas, paralajmëroi se kapacitetet e pranimit mund të arrijnë deri në 70.000 persona dhe asnjë më shumë.

"Do të qëndrojmë këtu", thotë një refugjat sirian për median ndërkombëtare.

"Nuk mund të kthehemi në Turqi, pasi nuk kemi asnjë mundësi për këtë. Do të rrimë këtu dhe do të ikim me shpresën se Gjermania dhe Suedia do të na pranojnë, dhëntë Zoti!".



Lajme të ngjashme