Në Kosovë nderohet Epopeja e UÇK-së

Në Kazermën e FSK-së Adem Jashari në Prishtinë, nën patronazhin e qeverisë së Kosovës nisi sot manifestimi qendror në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18 vjetorit të Epopesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Kosovë nderohet Epopeja e UÇK-së

“Sot po nderojmë të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë së Kosovës”, tha presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.

“Kosova është realitet i pakthyeshëm, paqe e fituar”, u shpreh presidentja kosovare Atifete Jahjaga në manifestimin ku po marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, presidenti i ri i zgjedhur Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

“Sot është dita që simbolizon bashkimin, ku duhet më shumë respekt e dashuri, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të saj. Sot është dita që duhet hequr dorë nga inatet për të punuar për një shtet të së drejtës. Sot është koha për Kosovën, e cila është një realitet i pa kthyer dhe është koha që FSK të kthehet në Forcë të Armatosur”, nenvizoi Jahjaga.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, tha se “duhet të çohet deri në fund amaneti i të gjithë atyre që ranë për liri dhe pavarësi të Kosovës”.

Manifestimet treditëshe në Kosovë përmbyllen me ndezjen e flakadanëve në Kompleksin Përkujtimor në Prekaz e me Natën e Zjarreve, me program kulturor-artistik në Sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Para 18 vitesh, në 5 mars 1998 forca të mëdha serbe të blinduara kishin filluar që në mëngjes një sulm kundër shqiptarëve në Drenicë.

Forcat serbe kishin zënë pozicione dhe ishin fortifikuar rreth Prekazit dhe qëllonin me armë të kalibrave të ndryshëm mbi vendbanimet shqiptare. Prekazi po qëllohej edhe me topa të rëndë, ndërsa ishin vënë në përdorim edhe helikopterë dhe nga veriu vinin njoftime se forca të reja ushtarake dhe policore serbe po hynin në Kosovë nëpër luginën e lumit Ibër drejt Mitrovicës dhe nga Merdare drejt Podujevës.

Në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 6 mars 1998, në një konfrencë shtypi në Prishtinë para rreth 200 gazetarëve të huaj dhe vendas, përsëriste thirrjen drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë pa humbur kohë tek autoritetet serbe dhe për t'i dhënë fund menjëherë gjakderdhjes. Rugova kërkoi që çështja e Kosovës të shqyrtohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të merret urgjentisht nën mbrojtjen ndërkombëtare – duke lënë të nënkuptohet edhe mbrojtjen ushtarake.



Lajme të ngjashme