Mogherini i siguron Shqipërisë mbështetjen e BE-së

Mogherini i siguron Shqipërisë mbështetjen e BE-së Kryeministri Edi Rama në deklaratën e përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini tha se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, kurse Mogher

federica mogherini - arnavutluk meclisi.jpg
federica mogherini - arnavutluk.jpg

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi të enjten në mbrëmje se reforma në drejtësi padyshim përbën çelësin për hapjen e portës së negociatave me Bashkimin Europian.

Pas takimit dypalësh dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Sigurisë, Kryeministri Edi Rama dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhanë një deklaratë për mediat ku vunë theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohjen për fjalën në Kuvendin e Shqipërisë të zyrtares së lartë të BE-së dhe vlerësimet e saj mbi ecurinë e vendit dhe hapjen e negociatave me BE-në, por dhe mbi përparimin e Shqipërisë në rrugën e reformave dhe rolin e Shqipërisë në rajon.

“Padyshim që kjo vizitë përkon me momentin shumë të rëndësishëm të reformës në drejtësi. Gjithë opinioni publik, padyshim edhe gjithë përfaqësuesit e opinionit publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët e vendit tonë, janë përfshirë në përpjekjen për të kurorëzuar reformën në drejtësi. Ne e shohim reformën në drejtësi, si një imperativ jo vetëm për të sotmen dhe jo thjesht dhe vetëm se në fakt është një çelës për të shkuar më tej në rrugëtimin tonë drejt BE-së, por edhe sepse kemi një detyrim", tha Rama.

Sot jemi në kushtet kur kemi një raport të Komisionit të Venecias, tha Kryeministri, duke shprehur besimin se të dyja palët politike do të ndjekin rekomandimet dhe me shpejtësi do të vënë në jetë pjesën e parë të reformës që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese.

Sipas Ramës, “ne duhet të jemi në lartësinë e aspiratës së shqiptarëve, të cilët presin shumë nga kjo reformë". Kryeministri po ashtu shprehu mirënjohjen për Komisionin Europian dhe të gjithë ekspertët e angazhuar drejtpërdrejtë në këtë reformë, ambasadorin dhe prezencën e BE-së në Tiranë pa të cilat, siç tha ai, “nuk do të ishim në këtë fazë, kaq pranë kësaj reforme".

Kryeministri Rama u zotua se “pala shqiptare do të vazhdojë të bëjë gjithçka na takon në raport me 5 prioritetet për anëtarësim, por edhe për ato reforma që nuk janë brenda 5 prioriteteve, por përcaktojnë Shqipërinë si shtet me ligjshmëri, me konkurencë të lirë dhe të ndershme dhe me institucione që funksionojnë".

Lidhur me krizën e rëndë të refugjatëve, Rama tha se “Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësive me partnerët tanë, si në NATO dhe në BE".

“Ne i jemi besnik vlerave dhe parimeve të Europës dhe pa as më të voglin dyshim do të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë edhe në këtë krizë, por nga ana tjetër nuk do të hapim kufijtë. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë brenda një plani të përbashkët europian. Vendimet unilaterale të vendeve të tjera janë pa lidhje me atë që na takon të bëjmë të gjithë së bashku, dhe nga ana tjetër nuk mund të jenë imponim për ne. Kjo është sfidë europiane, nuk është sfida e Greqisë, e Italisë, nuk është sfida e Ballkanit dhe aq më pak e Shqipërisë. Kjo është sfida e BE-së dhe brenda BE-së ne do të bashkëpunojmë", tha Rama.

Në përfundim ai shprehu bindjen se “Shqipëria e meriton hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa theksoi se duke u bërë anëtare e BE-së, vendi ynë do të jetë një mbështetës i fortë".

Ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini vlerësoi vizionin, vendosmërinë, kurajon dhe durimin e treguar për të ecur përpara. “Suksesi i Shqipërisë është një histori suksesi për Europën, dhe për mua është vërtetë një nder që jam këtu në këto ditë kyçe për Shqipërinë", tha ajo.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Mogherini tha se një reformë e thellë dhe historike e gjyqësorit për shqiptarët është domosdoshmëri dhe nevojë absolute". “Nuk ndodh shpesh që një udhëheqje politike të ketë një mbështetje kaq të madhe të opinionit publik për një reformë. Ndaj unë nuk po ju them bëjeni këtë gjë se e kërkon Brukseli, por sepse qytetarët shqiptarë e kërkojnë këtë gjë", tha ajo.

Duke garantuar për angazhimin institucional të BE-së për Shqipërinë, Mogherini shprehu besimin për hapjen e negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë në BE. Ajo vlerësoi edhe rolin e shkëlqyer dhe përgjegjësinë që luan Shqipëria në rajon dhe arenën ndërkombëtare".

“Ju falënderoj pasi kjo gjë është e jashtëzakonshme. Ne jemi më shumë se sa thjesht partnerë. Ne punojmë së bashku si partnerë në NATO, ne qëndrojmë së bashku në rajon dhe në botë", tha Mogherini, ndërsa vlerësoi edhe hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, sidomos vitet e fundit".



Lajme të ngjashme