BeH shënon 24-vjetorin e pavarësisë

Bosnja dhe Hercegovina sot feston 24 vjetorin që kur populli i saj vendosi që vendi i tyre të shkëputet nga Jugosllavia.

BeH shënon 24-vjetorin e pavarësisë

Bosnja dhe Hercegovina sot feston 24 vjetorin që kur populli i saj vendosi që vendi i tyre të shkëputet nga Republika e atëhershme Socialiste dhe Federative e Jugosllavisë (RSFJ) dhe të bëhej shtet i pavarur.

Vendimin për shkëputjen e BeH nga RSFJ, qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës nga dy etnitete - Federata e BeH (FBeH) dhe Republika Srpska (RS) e shohin në mënyrë të ndryshme. Derisa shumica e qytetarëve të FBeH ditën e sotme e shënojnë Ditën e Pavarësisë dhe kanë ditë pushimi, në entitetin tjetër me shumicë serbe sot është një ditë e zakonshme pune.

Dita e Pavarësisë në Sarajevë u shënua me vendosjen e kurorave të luleve në varrezat përkujtimore Kovaçi, në pikën e njohur si Zjarri i Pashueshëm në qendër të kryeqytetit, në Monumentin e fëmijëve të vrarë të Sarajevës dhe në disa lokacione historike.

Në ceremoninë e shënimit të 1 marsit kanë marrë pjesë anëtari i Presidencës së BeH, Bakir Izetbegoviç, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH, Denis Zvizdiç dhe shumë zyrtarë të tjerë të vendit.

Gjatë deklaratave të tyre të gjithë u pajtuan se 24 vite më parë, BeH dhe qytetarët e saj kanë bërë një hap historik, i cili sot, përkundër të gjitha viktimave dhe situatës së vështirë ekonomike në vend duket si një hap i drejtë.

Realiteti paralel në qytetin më të madh të RS, Banja Llukë duket ndryshe. E marte është vetëm një ditë e zakonshme pune, pa asnjë shenjë të shënimit të ngjarjes 24 vite më parë. Udhëheqësit politikë në RS edhe këtë vit në prag të 1 marsit kanë porositur se populli serb dhe Republika Srpska asnjëherë nuk do të njohin këtë datë si ditë e pavarësisë së vendit, ndërsa me ta pajtohet shumica e qytetarëve.

Para BeH, në fund të 1990, vendimin për shkëputje nga ish-Jugosllavia e mori Republika e Sllovenisë, dhe më vonë, në 1991, Republika e Kroacisë dhe Maqedonia. Pavarësia është paguar me konfliktin më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ngjarjet si rrethimi i Sarajevës dhe gjenocidi në Srebrenicë, janë bërë simbole të kësaj lufte.

Referendumi mbi pavarësinë e Bosnje dhe Hercegovinës, u mbajt më 29 shkurt dhe 1 mars të vitit 1992. Votuan gjithsej 2.073.568 votues. Me pjesëmarrje prej 63,6 përqind, ku 99,7 përqind ishin në favor të pavarësisë, dhe 0,3 përqind kundër.

Partia Demokratike Serbe (SDS) u bëri thirrje serbëve që të bojkotojnë referendumin dhe të parandalojnë mbajtjen e tij në disa pjesë të vendit. Kështu, referendumi u bojkotua kryesisht në komunat me shumicë serbe.

Deklarata e Brukselit e 17 dhjetorit 1991 mbi Jugosllavinë, e bazuar në rekomandimet e komisionit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i kryesuar nga Robert Badinter, ranë dakord për shpërbërjen e RSFJ-së dhe ftuan republikat e atëhershme që deri më 23 dhjetor të deklarojnë pavarësinë.



Lajme të ngjashme