Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Kuvendi i Kosovës zgjedh sot presidentin e ri

Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës është pika e vetme e agjendës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, që do të mbahet sot në orën 11:00.

Kuvendi i Kosovës zgjedh sot presidentin e ri

Ndërkohë, opozita prej tre netëve ka qëndruar në tenda në sheshet “Zahir Pajaziti" dhe “Skënderbeu" , ku proteston kundër marrëveshjeve të nënshkruara në Brukesl për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, si dhe largimin e qeverisë.

Ditën e sotme opozita ka paralajmëruar protestë “gjithëpopullore" nga ora 10:00, që duket se do jetë e gjatë dhe me zhvillime të tjera.

Nga PDK kishte paralajmërime se njëkohësisht në sheshet në Prishtinë do ketë edhe festime për zgjedhjen e Presidentit, por i kandiduari, kryetari i këtij subjekti politik, Hashim Thaçi, pas takimeve mbrëmë të Kryesisë me kryetarët e degëve, ka bërë ftesë që të festohet në shtëpi dhe me familjet duke u shprehur se, “asnjëherë nuk duhet të kemi ditë të ballafaqimeve dhe dhunës në rrugë".

Për President të ardhshëm të Kosovës është kandiduar kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë" dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

“Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është nënshkruar nga 43 deputetë të Kuvendit, konform nenit 69, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ndërsa për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës janë nominuar dy kandidatë: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama", ka njoftuar para një jave kryeparlamentari Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, nga VV, ka hedhur gaz lotsjellës e për këtë më pas është arrestuar.

Kjo ishte hera e dytë që opozita hidhte gaz lotsjellës edhe në mbledhje të Kryesisë së Kuvednit, ndërsa shumë herë ka hedhur në sallën e seancave plenare, madje edhe në sallën alternative, që nga fundvera e vitit të kaluar – fillimi i sesionit vjeshtor, duke vazhduar edhe në sesionin pranveror. Veprime kundërshtuese brenda dhe jashtë Kuvendit opozita ka paralajmëruar edhe për ditën e sotme kur në agjendë është zgjedhja e Presdidentit të Kosovës.

Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithsej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.26Shesh-opozita-Prishtine-dita e trete

Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgjedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.

Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11, e cila dje ka deklaruar se ende nuk ka vendim përfundimtar, dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithsej 17 deputetë. Të katër grupet parlamentare të koalicionit qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +, së bashku kanë gjithsej 85 deputetë.

Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.

Partia e kryeministrit Isa Mustafa ka deklaruar se, “pret që të premten të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t'i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës".

Ndërsa, opozita, me gjithsej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6), kundërshton mbajtjen e seancave të Kuvendit edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, siç ndodhi edhe të premten e kaluar me tre ndërprerje nga gazi lotsjellës i seancës së parë të sesionit pranveror dhe ka shpallur “gjendje gatishmërie" për grumbullime protestuese në ditën e orën e seancës për Presidentin kurdoqoftë, që “të pamundësohet zgjedhja".

Opozita e bashkuar, në përfundim të protestës së ditë festës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk jep dorëheqjen “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe" dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Por, protesta “gjithë popullore" u ftua për një ditë më herët, pasi për sot u ftua seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018", të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit".

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi në 9 prill 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor të atij viti historik, rreth zgjedhjes së Presidentit përcakton:

“Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.

4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Të gjithë, të katër presidentët e Kosovës në 17 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm rreth një muaj në këtë post, si dhe Presidentja aktuale Atifete Jahjaga, janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare.

Zgjedhje e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntorit 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë. Vonesa dhe humbja e kohës kishte derisa u arrit marrëveshja dhe në 4 mars 2002, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit 2001: President i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova (LDK), kryeministër i Kosovës – Dr. Bajram Rexhepi (PDK).

Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: 'Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?". Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja", për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President.



Lajme të ngjashme