Sarajevë - Presidenti Nishani i kërkon Bosnjë-Hercegovinës njohjen e Kosovës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, nisi sot një vizitë zyrtare në Bosnjë-Hercegovinë, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga kryesuesi i Presidencës Treshe të Bosnjës, Dragan Çoviç.

Sarajevë - Presidenti Nishani i kërkon Bosnjë-Hercegovinës njohjen e Kosovës

Pas ceremonive zyrtare, Presidenti Nishani zhvilloi një bisedë konfidenciale me të tre përfaqësuesit e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, për të vijuar më pas kryesimin e delegacionit shqiptar në bisedimet zyrtare mes delegacioneve të të dy vendeve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Çoviç, Presidenti Nishani kërkoi rishikimin e qëndrimit nga Bosnjë-Hercegovina për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve të të dy vendeve përmes njohjes së dokumenteve reciproke, ndërsa i siguroi bashkëbiseduesit se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut shumë i qenësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.

Nga përfaqësuesit e Presidencës Treshe të Bosnjë-Hercegovinës u premtua që shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje për njohjen e dokumenteve të Kosovës, duke premtuar mbajtjen e një takimi me përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në Podgoricë të Malit të Zi.

Gjatë konferences për shtyp, Nishani evidentoi vullnetin dhe dëshirën e Shqipërisë për të nxitur bashkëpunimin me Bosnje-Hercegovinën, si në plan dypalësh ashtu edhe në atë rajonal dhe shumëpalësh.

Kreu i shtetit të Shqipërisë i kushtoi vëmendje të veçantë bashkëpunimit ekonomik duke përshëndetur kuadrin e përbashkët ligjor në fuqi, si dhe duke theksuar nevojën e nxitjes së institucioneve të të dy vendeve për të eksploruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe të përfshirjes në projektet rajonale, veçanërisht energjetike dhe të infrastrukturës.

Ndërsa në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, Presidenti Nishani theksoi se është shumë e rëndësishme përfshirja e të gjitha vendeve pa përjashtim, si dhe krijimi i lehtësirave të komunikimit mes qytetarëve të vendeve të rajonit. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani përshëndeti nismën e Bosnjë-Hercegovinës për të organizuar këtë vit Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, ku edhe Kosova është e pranishme.



Lajme të ngjashme