Londër - Haxhinasto në Samitin e BERZH: Procesi i Berlinit, nismë pozitive

Ministri shqiptar i Transportit dhe i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka marrë pjesë në punimet e Samitit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Ballkanin Perëndimor, mbajtur në Londër.

Londër - Haxhinasto në Samitin e BERZH: Procesi i Berlinit, nismë pozitive

Në fjalën e tij, ministri Haxhinasto vuri në pah frymën pozitive, që Procesi i Berlinit ka krijuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por theksoi se tani ka ardhur koha të kalohet në projekte konkrete në infrastrukturë.

Përveç BERZH-it, ministri u ndal te investitorët kinezë, që mund të japin kontribut në zhvillime transportit për rajonin e Ballkanit.

Haxhinasto i lëshoi një apel përfaqësuesve nga rajoni se duhet më shumë bashkëpunim për të hequr barrierat jo fizike, çfarë ka sjellë kosto 5 herë më të larta se BE, në pikat e kalimit kufitar mes vendeve.

Ai permendi zgjidhjen që Shqipëria ka gjetur me Malin e Zi, me një pikë kontrolli kufitar dhe një doganë, si një model i mirë që mund të aplikohet në rajon.

Gjithashtu Haxhinasto bëri thirrje për bashkëpunim mes vendeve për të unifikuar projektet dhe për t'i trajtuar jo vetëm në rafshin kombëtar, por në atë rajonal, pasi vetëm në këtë formë mund të jenë tërheqëse për investitorët.

Gjatë qëndrimit në Londër, ministri Haxhinasto u takua me drejtorin e BERZH për Transportin, Thomas Maier, me të cilin diskutoi mbi projektet e BERZH në Shqipëri dhe veçanërisht projektet në sektorin rrugor.

Përfaqësuesi i lartë i BERZH shprehu interesin për angazhime të mëtejshme në investime për rrjetin rrugor dhe atë hekurudhor shqiptar. BERZH është në pritje të përfundimit të studimit të detajuar për projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës, me qëllim shqyrtimin e mundësisë së financimit të tij.

Ministri Haxhinasto u takua gjithashtu me eurokomisioneren për Transportin, Violeta Bulc dhe drejtorin e përgjithshëm për Politikat e Zgjerimit të BE-së, Christian Danielsson.



Lajme të ngjashme