Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

Haradinaj nëpërmjet një komunikate për media bëri të ditur se dorëhiqet nga mandati i deputetit.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj jep dorëheqjen nga mandati i deputetit

“Duke e parë se Kuvendi i Kosovës, është shndërruar në një institucion për mbulesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria; duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia; dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shprehet Haradinaj përmes një deklarate për mediat.

“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshirë edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, demarkacionin dhe asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit. Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjësie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja rrugë veprimi e imja si deputet, kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz”, shprehet më tej ai.

Pas ditës së sotme, vijon Haradinaj, “konsideroj se Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk është më një institucion demokratik dhe rrjedhimisht unë nuk e shoh vetën më pjesë të kësaj legjislature”.



Lajme të ngjashme