O’Connell: Është koha për dialog serioz, dhuna dëmton Kosovën

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, reagoi rreth zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se dhuna do ta dëmtojë Kosovën.

O’Connell: Është koha për dialog serioz, dhuna dëmton Kosovën

Sipas tij, të mërkurën qytetarët e Kosovës treguan se mund të thonë fjalën e tyre pa dhunë e kërcënime, por dhuna që pasoi në kuvend, është shqetësuese për të.

“Çfarë lloj kulture politike dëshiron Kosova? Qytetarët e Kosovës, të mërkurën treguan se është e mundur të thonë qëndrimet e tyre me dinjitet, pa dhunë dhe kërcënime. Por, çfarë do të mendojnë kosovarët rreth dhunës dhe retorikës që ka pasuar pas protestës?”, shkruan ai në Facebook.

“Dhuna do ta dëmtojë Kosovën. Sigurisht, tani është koha që të gjithë liderët e Kosovës, nga të gjitha anët, të tregojnë se mund t'i zgjidhin problemet e Kosovës vetë. Është koha për një dialog serioz, ashtu siç presidentja ua ofroi për gjashtë muaj. Tetë vjet pas pavarësisë, është koha që Kosova të sillet si një demokraci normale evropiane. A nuk është kjo ajo që duan qytetarët e Kosovës?”, shkruan ambasadori britanik.


Fjalët Kyçe: Kosova , Kuvend , Ruairi O’Connell

Lajme të ngjashme