Samiti i OSBE-së: Miratohen disa dokumente të rëndësishme

Në Beograd u mbajt samiti i Ministrave të Jashtëm të OSBE-së.

Samiti i OSBE-së: Miratohen disa dokumente të rëndësishme

Në një konferencë për mediat, pas takimit Samitit ministrorë të OSBE-së në Beograd, kryesuesi Ivica Daçiç tha se "Serbia ka dëshmuar se është lojtar serioz në arenën ndërkombëtare dhe se nuk paraqet temë diskutimi në trupat e ndryshme ndërkombëtare, sepse din të jetë shtet i cili luan rol të rëndësishëm".

Ai u shpreh i kënaqur për mënyrën e organizimit të këtij takimi ministror nga ana e Serbisë dhe shtoi se është një konstatim i përgjithshëm se një takim i tillë ka kohë që nuk është organizuar.

"Në 40 vitet e fundit nuk ka ndodhur, përveç kur është themeluar OSBE-ja, të ketë numër aq të madh të ministrave të Jashtëm, gjithsej 43, dhe të paraqet mundësi për takime bilaterale aq të rëndësishme", tha Daçiç.

Sipas tij, edhe pse ishte joreale që pas dallimeve dhe ndarjeve të thella të arrihet kompromisi, pas debateve të gjata janë miratuar disa dokumente të rëndësishme siç janë lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe çështjet e të rinjve, siguria etj.

"Zëri me të cilin i drejtoheshin njëri-tjetrit ishte ndryshe nga takimi ministror në Bazel. Kishte shumë më tepër tolerancë dhe respekt të ndërsjellë nga vitet e mëhershme, prandaj mund të them se Beogradi mund të jetë vend i mirë për vazhdim të dialogut", tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se ka pasur 11 takime bilaterale me përfaqësues të shteteve më të fuqishme, duke vënë theksin te përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, dhe me ministrat e Jashtëm të Rusisë, Gjermanisë dhe Turqisë.

"Presim që kah fundi i vitit të vijë kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu për një biznes-forum ku presim një numër të konsiderueshëm të afaristëve turq të cilët janë jashtëzakonisht të interesuar për pjesëmarrje në privatizimin dhe në sektorin e biznesit duke përfshirë banjat tona. Po punojmë për të caktuar datën dhe kjo do të jetë mes 25 dhe 30 dhjetorit", tha Vuçiç.

Ai mes tjerash tha se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm është caktuar një vizitë e rëndësishme e kryeministrit rus, Dmitry Medvedev.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme