Aksion anti-terror i Policisë së Kosovës dhe asaj italiane

Policia e Kosovës dhe ajo italiane kanë organizuar një operacion të përbashkët në kuadër të luftës anti-terror.

Aksion anti-terror i Policisë së Kosovës dhe asaj italiane

Në një operacion antiterrorizëm të policisë italiane në bashkëpunim me atë kosovare janë kryer disa arrestime dhe kontrolle të ndryshme banesash të qytetarëve kosovare të akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe nxitje të urrejtjes racore në disa qytete italiane dhe kosovare.

Në këtë aksion deri tani janë arrestuar katër qytetarë kosovarë.

Hetuesit kanë bllokuar një organizatë që dyshohet për terrorizëm dhe që nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale propagandonte ideologjinë xhihadiste.

Ndërkaq Policia e Kosovës ka arrestuar një person për të cilin dyshohet se ishte pjesë e DAESH-it.

Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin për arrestimin e personit me iniciale S.I, në një fshat të Hanit të Elezit, i dyshuar për pjesëmarrje në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, operacioni i koduar me emrin “Van Damme” është kryer në bashkëpunim me Sektorin Kundër Terrorizmit, në kuadër të Divizionit të Hetimeve Gjenerale dhe operacioneve speciale të qarkut të Brescias, Itali.

Policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale dy armë zjarri, një revole dhe një pushkë e tipit karabinë, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende të tjera, që mund të ndërlidhen me rastin.

Në një komunikatë të lëshuar nga Policia e Kosovës thuhet se “Ky operacion është një tregues se bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit, prandaj Polica e Kosovës është e hapur për bashkëpunim edhe në të ardhmen me cilindo shtet në këtë drejtim”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme