Isa Mustafa: Jordania, përkrahëse e fuqishme e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Sovrani i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn al-Hussein, gjatë takimit pasditen e të martës në Prishtinë, biseduan për raportet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe për thellimin e bashkëpunimit.

Isa Mustafa: Jordania, përkrahëse e fuqishme e Kosovës

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi Mbretin Abdullah II Ibn al-Hussein për përkrahjen që Jordania ka dhënë për shtetin e Kosovës që nga njohja e pavarësisë e deri në fazat e mëvonshme të ndërtimit dhe forcimit të shtetësisë.

“Jordania, gjatë kësaj periudhe, ka ofruar një përkrahje dhe kontribut të çmuar për forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kryeministri Mustafa.

Pasi e njoftoi për progresin që po arrihet në Kosovë, Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin maksimal të qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, hapje të vendeve të punës, mirëqenie sociale e reforma të tjera në rrugën integruese euroatlantike.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve, me theks të posaçëm në ekonomi.

Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn al-Hussein, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Jordanisë për Kosovën.

Gjatë takimit, Kryeministri Mustafa dhe Mbreti Abdullah II kanë biseduar edhe për proceset aktuale, angazhimin e përbashkët në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, dhe po ashtu për fusha tjera të rëndësishme për Kosovën, si shëndetësia dhe drejtësia.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme