Mustafa, fushata e Serbisë pengesë për vazhdimin e dialogut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë ka folur për krizën politike në vend.

Mustafa, fushata e Serbisë pengesë për vazhdimin e dialogut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë ka folur për krizën politike në vend me theks të veçantë për marrëveshjen e kontestuar për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, për fushatën agresive të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Kulturë dhe Shkencë (UNESCO) si dhe reflektimin që mund ta ketë kjo në vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Ai është ndalur edhe në marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë, Turqinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Kryeministri Mustafa duke folur për fushatën agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme botërore, siç ndodhi së fundmi me UNESCO-në ku Kosova u krahasua me DAESH tha se kjo padyshim do të ndikojë negativisht në vazhdimin e dialogut mes dy shteteve.

“Po gjithsesi se do të ndikojë përkundër dëshirës tonë të themi se dialogu do të vazhdojë sepse i njëjti nuk kontestohet dhe ne kemi interes që dialogu të vazhdojë. Kemi disa probleme që duhet ti zgjidhim përmes dialogut, por Serbia po e keqpërdorë dialogun që të punojë kundër Kosovës duke tentuar ti bindë edhe disa shtete tjera të votojnë kundër anëtarësimit tonë në UNESCO duke u thirrur se ne duhet ti zgjidhim problemet me dialog”, tha Mustafa për të shtuar se për fat të keq Serbia ka arritur të mobilizojë një numër të vendeve me përkrahje të Rusisë edhe disa vendeve tjera kryesisht siç tha Mustafa jodemokratike, në mënyrë që të pamundësojë të arrihen dy të tretat e votave të nevojshme.

Për sa i përket krizës politike në Kosovë, më konkretisht për kërkesën e opozitës për tërheqje të nënshkrimeve për marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësim ndërkombëtar, që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Mustafa tha se arbitri kryesor në këtë çështje është gjykata Kushtetuese dhe se për të nuk mund të vendosin pushteti ose opozita.

“As njëra as tjetra nuk mund të tërhiqen sepse njëri është ligj i ratifikuar me dy të tretat e deputetëve dhe kjo është marrëveshje e akorduar me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit e cila marrëveshje në fakt cakton vetëm parimet, por atë që ne kemi lënë si derë të hapur është që e njëjta të jepet për mendim në Gjykatën Kushtetuese e cila do thotë fjalën e fundit nëse marrëveshja është në harmoni me Kushtetutën apo jo” tha Mustafa.

Sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për demarkacion klasik sepse vetëm është bërë shënimi i kufirit i cili është administruar nga Kosova nga viti 1974 e këndej, dhe me pakon e Ahtisarit është paraparë që kufiri të jetë ai që është trashëguar më 31 Dhjetor të vitit 1988 dhe detyrë e komisionit ka qenë që vetëm të vërtetojë se cila është ajo sipërfaqe që kufizohet me Malin e Zi e cila është administruar nga Kosova atëherë.

“Por çdo qytetar që ka argumente ligjore mund ta kontestojë këtë dhe ne pastaj jemi të gatshëm që t’ia prezantojmë palës malazeze por edhe Kuvendit tonë sepse marrëveshja akoma nuk është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës” tha Mustafa.

I pyetur nëse ka ndonjë plan për kthimin e opozitës në Kuvend nëse gjykata Kushtetuese vlerëson se marrëveshjet janë në harmoni me Kushtetutën, Mustafa tha se opozita duhet të kthehet në parlament sepse nuk ka asnjë të drejtë që në mënyrë të dhunshme të pengoj punën e Kuvendit dhe se askush nuk ka të drejtë të pengojë punën e shumicës që ka votën e qytetarëve vetëm nga shkaku se pakica dëshiron të abuzojë dhe të pengojë Kuvendin.

“Nëse gjykata Kushtetuese konsideron se e njëjta është në harmoni me kushtetutën ne do të vazhdojmë më tutje dhe do të hapim mundësi që të hartohet statuti i Asociacionit i cili përsëri do ti dërgohet gjykatës kushtetuese. Nëse gjykata thotë se nuk është në harmoni ne nuk e zbatojmë atë” sqaroi Mustafa i cili përjashtoi mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme sepse siç tha shumica ka mbi dy të tretat e Kuvendit dhe nuk kanë asnjë arsye për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kosova e gatshme për mbledhje të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë

Në raport me Maqedoninë, Mustafa foli për akuzat nga çarqe të caktuara, të cilat pas ngjarjeve të Kumanovës e akuzuan Kosovën për “eksport të terrorizmit”.

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës tha se nuk ka asnjë argument të eksportit të terrorizmit, sepse janë munduar maksimalisht që të bashkëpunojmë me të gjitha vendet fqinje për arsye se lufta kundër terrorizmit nuk është një luftë që mund ta bëjë vetëm një vend.

“Neve na vjen keq për atë çfarë ka ndodh në Kumanovë, sepse janë humbur jetë njerëzish, janë shkatërruar pasuri dhe natyrisht se askush nuk do ta dëshironte atë. Mund të them se nuk ka ndikuar në raportet e Kosovës me Maqedoninë sepse ne kemi vazhduar të kemi marrëdhënie të mira me qeverinë e Maqedonisë, natyrisht duke respektuar në mënyrë reciproke njëra tjetrën” tha ai, ndërkaq sa i përket shtetasve të arrestuar kosovar tha se ambasada e Kosovës në Shkup ka qenë në vazhdimësi e kyçur prej ngjarjes e tutje.

“Ne nuk kemi bërë ndërhyrje tjera sepse do të ishte një ndërhyrje e jonë atje, por dëshirojmë që procesi (gjyqësor) të zhvillohet duke respektuar të gjitha kriteret e së drejtës ndërkombëtare dhe atë ne do ta kërkojmë në vazhdimësi” theksoi Mustafa.

Kryeministri Kosovar mes tjerash u ndal edhe tek mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni-Kosovë, e cila një kohë të gjatë paralajmërohet.

“Nuk e kemi përcaktuar akoma në mënyrë të qartë se a do të bëhet takim i formateve të plotë të dy qeverive, apo të bëjmë takime të dy qeverive me ministritë të cilat do të kenë pastaj lidhje të marrëveshjeve. Ne kemi angazhuar njerëzit tanë që janë edhe pranë kabinetit tim edhe pranë ministrive që të harmonizojnë me ambasadën e Maqedonisë që është këtu edhe me qeverinë maqedonase”.

Turqia, investitor i madh në Kosovë

Në raport me Turqinë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Turqia është një investitor goxha i madh në Kosovë. Ai marrëdhëniet mes dy shteteve i vlerësoi si tejet të mira.

“Turqia ka marrë pjesë edhe në privatizimin e pronave këtu si dhe në procedura të koncesionimit. Mban aeroportin dhe janë disa firma që bëjnë distribuimin e energjisë elektrike por ka pas prezencë të madhe edhe të industrisë ndërtimore të Turqisë në vendin tonë. Ne jemi të interesuar që këto të zhvillohen” thotë Mustafa ndërkohë që përmend bashkëpunimin kulturor mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë nga shkaku i prezencës së etnitetit turk në Kosovë ndërsa nuk ka munguar as bashkëpunimi ndërkomunal thotë ai që ka rezultuar me binjakëzime të komunave.

Etniteti Serb në BeH pengesë për heqjen e vizave ndaj Kosovës

Kryeministri Mustafa potencoi edhe çështjen e vizave për shtetasit e Kosovës për hyrje në territorin e Bosnje e Hercegovinës. Ai u shpreh pesimist se kjo çështje mund të zgjidhet së shpejti.

“Do të ishte shumë normale që të mos ishte kështu dhe të ketë ndryshime, por për fat të keq nuk shoh ndonjë mundësi që të ndodhin ndryshimet e shpejta sepse ndikimi i Serbisë përmes republikës Serbe edhe kanaleve të tjera është shumë i madh”.

Mustafa u shpreh se kosovarët dhe boshnjakët gjithmonë kanë pasur relacione të mira dhe është totalisht e pakuptimtë që Kosova të zbatojë regjim të vizave dhe kështu të pengohet bashkëpunimi ekonomik, kulturorë dhe lëvizja e njerëzve.

Ai pret që qeveria e Bosnjës e Hercegovinës të korrigjojë marrëdhëniet në këtë drejtim, përcjell Anadolu Agency.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme