Hahn-Veseli: Presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me eurokomisionarin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë të cilit u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me BE-në.

Hahn-Veseli: Presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës

Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se “kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë”.

Më tutje, Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike”, theksoi ai.

Kryetari Veseli tha se MSA-ja është një arritje e rëndësishme, pasi tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë.

“Ne i kemi të qarta detyrimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, Hahn theksoi se axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.

“Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin”, tha Hahn. Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme