Shqipëria përshëndet vendimin e UNESCO-s për Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate për mediat pasditen e së mërkurës, përshëndeti vendimin e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Shqipëria përshëndet vendimin e UNESCO-s për Kosovën

Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s vendosi t’i rekomandojë Konferencës së Përgjithshme kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në vijim te nismës së propozuar nga Shqipëria.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se “Republika e Shqipërisë mbështet plotësisht anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe i uron asaj suksese edhe në votimin, që do të zhvillohet në fillim të muajit nëntor 2015 në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate. Mbështetja e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO nga Këshilli Ekzekutiv është tregues i angazhimit konkret të partnerëve tanë strategjikë për ta bërë Kosovën pjesë të UNESCO-s, të kësaj agjencie të rëndësishme të OKB-së, që trajton dhe mbron vlera të veçanta të arsimit, shkencës dhe trashëgimisë kulturore ndërkombëtare”.

“Mbështetja e Kosovës nga Konferenca e Përgjithshme do të përbente një mesazh inkurajues për procesin e normalizimit te mëtejshëm të marrëdhënieve në rajonin tonë. MPJ shpreh besimin se Kosova do të marrë mbështetjen e duhur edhe në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, duke qenë se Kosova përmbush të gjitha kushtet dhe ka dëshmuar njëkohësisht vullnet të plotë për të qenë një anëtare e denjë e kësaj organizate”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Bushati, më heret nëpërmjet statusit të tij Facebook, u shpreh: “Një lajm i gëzueshëm nga Parisi: Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s sapo rekomandoi anëtaresimin e Kosovës në UNESCO, në vijim të iniciativës së propozuar nga Shqipëria. Tanimë puna do të përqëndrohet tek Konferenca e Përgjithshme, e cila do të thotë fjalën e fundit në fillim të nëntorit. Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe Shqipëria do të vijojë të japë mbështetjen e pakursyer në këtë drejtim, në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjikë, të cilëve ujemi thellesisht mirënjohës.”

“Dëshiroj të falënderoj rrjetin e diplomatëve tanë, që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë me përkushtim e këmbëngulje për arritjen e këtij objektivi të qenësishëm! ‪#‎KosovoInUNESCO”, u shpreh Bushati.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme