Çollaku: MSA pritet të nënshkruajë në ditët e ardhshme

Bashkimi Evropian pritet të nënshkruajë shumë shpejt Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën, bëri të ditur për KosovaPress, ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku.

395248
Çollaku: MSA pritet të nënshkruajë në ditët e ardhshme

“Unë mund të them që nënshkrimi i MSA-së është pika kthyese në aspektin e Integrimeve Evropiane. Kjo do ta ndryshojë krejtësisht pasqyrën e Kosovës kundrejt Bashkimit Evropian. Kjo gjë do të ndodh brenda disa ditëve. Nuk është më çështje javësh apo muajsh, por ditësh. Kjo pikë e madhe kthese për Kosovën do të ndodh shumë shpejt dhe vetëm në atë moment ne mund të themi që e ardhmja evropiane e Kosovës është e garantuar dhe në rrugën e drejtë dhe pa kthim. Dhe kjo do ta zhvendosë debatin nga retorika në çështje krejtësisht praktike”, theksoi Çollaku.

Ministria e Integrimeve, bashkë me institucionet tjera është duke punuar vazhdimisht edhe në plotësimin e tetë rekomandimeve që janë dhënë për procesin e Liberalizimit të vizave.

Sipas Çollakut, këto rekomandime do të përmbushen deri në fund të nëntorit. Megjithatë shpjegon se çka ka mbetur pa u përmbushur.

“Kryesisht janë çështje teknike e disa çështje politike që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kërkohet nënshkrimi i disa marrëveshjeve me shtetin, siç është marrëveshja për riatdhesim me Turqinë. Kërkohet forcimi i kontrollit kufitar në mënyrë që të luftohet krimi ndërkufitar dhe çështje të natyrave teknike që lidhen edhe me sigurinë e dokumenteve dhe masa të tjera në blloqe të ndryshme. Ndërsa Kosova në aspektet e përmbushjes së kritereve që nga muaji qershor të këtij viti është e gatshme dhe bazuar në atë progres, bazuar mbi atë punë po presim të kemi rekomandime pozitive gjatë këtij viti, në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm praktikisht qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza”, u shpreh Çollaku.

Çollaku, kërkon që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis opozitës dhe pozitës, në mënyrë që të gjitha proceset që janë të karakterit kombëtar e shtetëror t’i çojnë përpara. Ministri thekson se liderët politikë të vendit nuk mund t’ia lejojnë vetes luksin që të humbasin kohë me çështje kaq të rëndësishme.

Ndonëse opozita në Kosovë nuk kundërshton një anëtarësim të tillë, ministri thotë se sjelljet e tyre të fundit mund të dëmtojnë Axhendën Evropiane. Ai i kërkon opozitës të kthehet në Kuvend dhe gjendja të normalizohet.

“Ne duhet të sigurohemi që situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë ta mbajmë të qëndrueshme. Çdo tensionim dhe çdo rrezikim i rendit demokratik dhe institucional në Kosovë do të ketë pasoja shumë të mëdha në axhendën tonë ndërkombëtare”, tha ministri Bekim Çollaku.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme