Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Klajda Gjosha në Malin e Zi për bashkëpunimin rajonal drejt BE-s

Ministrja e Integrimit Europian të Shqipërisë, Klajda Gjosha, mori pjesë në Budva të Malit të Zi në konferencën rajonale “Bashkëpunimi mes Shtetit dhe Shoqërisë Civile në Procesin e Integrimit Evropian”.

Klajda Gjosha në Malin e Zi për bashkëpunimin rajonal drejt BE-s

Në këtë konferencë ishin të ftuar ministrat e gjithë rajonit që mbulojnë çështjet e integrimit evropian, për të shkëmbyer praktikat e ndjekura në këto vende, në raport me shoqërinë civile.

Në panel me ministrat e Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë, ministrja Gjosha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të aspiratës së përbashkët të këtyre vendeve për të qenë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, ministrja Gjosha, duke vlerësuar rolin e shoqërisë civile në forcimin e këtij bashkëpunimi, listoi një sërë hapash përpara, që Shqipëria ka bërë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm.

“Në fazën aktuale të procesit të integrimit, në të cilën është Shqipëria aktualisht, në pritje të hapjes së negociatave, qeveria ku unë bëj pjesë, e sheh me peshë madhore bashkëpunimin me shoqërinë civile, si instrumentin më të përshtatshëm për ndërveprimin shumëpalësh të aktorëve kryesorë të procesit të integrimit europian”, tha ministrja Gjosha në konferncën rajonale në Malin e Zi.

Ajo u shpreh se, është pikërisht ky instrument që filtron dhe përsos marrëdhënien shtet-shoqëri, në kuadër të procesit të integrimit. Sipas ministres, kjo marrëdhënie bëhet edhe më e fortë nëse qeveria mundëson mekanizmat e duhur për një bashkëpunim të strukturuar mes palëve.

“Pikërisht, nën këtë frymë është orientuar qasja e institucioneve shtetërore dhe qeverisë shqiptare, duke krijuar disa mekanizma që i mundësojnë zhvillimin e shoqërisë civile në një ambient mundësues ligjor e financiar por edhe rol politikbërës dhe vendimmarrës”, u shpreh Klajda Gjosha.

Ministrja përmendi ligjin e ri për “Ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile”, i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë brenda vjeshtës.

“Më lejoni të theksoj faktin se procesi i hartimit të këtij projektligji ka qenë një iniciativë e vetë organizatave të shoqërisë civile, e cila është mirëpritur dhe ka gjetur mbështetjen e plotë nga qeveria shqiptare përmes ngritjes së strukturave dhe grupeve të punës të dedikuara për hartimin sa më cilësor dhe gjithëpërfshirës të projektligjit në fjalë”, tha ministrja shqiptare e Integrimit Evropian.

Ministrja theksoi se përpos përpjekjeve të brendshme të qeverisë, vlerësohet si mjaft e rëndësishme nxitja e bashkëpunimit rajonal sa i përket shkëmbimit të eksperiencave më të mira për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit.

“Pjesëmarrja në këto konferenca rajonale për ne mbart jo vetëm rëndësinë e përftimit të eksperiencave më pozitive nga rajoni, por edhe për njohjen me sfidat e proceseve të ndryshme, shkëmbimit të njohjeve dhe forcimit të marrëdhënieve mes përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile në rajon dhe përfaqësuesve të institucioneve tona publike”, tha ministrja e Integrimit Evropian të Shqipërisë.

Në diskutimet e tyre të gjithë ministrat e rajonit e cilësuan Samitin e Vjenës, ku u mbajt një Forum i veçantë për shoqërinë civile, një pikë kthese në këtë drejtim, si orientimi më i mirë për të krijuar ura të reja bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm kështu sipas tyre, do të garantohet forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetin politik dhe ekonomik të rajonit si dhe prosperiteti për qytetarët.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme