Nishani: Kosova kontribut në përmirësimin e bashkëpunimit rajona

"Kosova është shtet i pavurur e sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal", deklaroi të enjten në Tiranë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Nishani: Kosova kontribut në përmirësimin e bashkëpunimit rajona

Presidenti Nishani shtoi se Kosova po kontribuon fuqishëm edhe me praktikat e respektimit të pakicave kombëtare, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidenti Nishani theksoi se “sot Kosova me gjithë sfidat e mëdha gëzon një status të ri, plotësisht të merituar në rajon edhe përmes të gjithë nismave dhe angazhimeve të saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare”.

“Statusi i ri i Kosovës e gjen edhe në dialogun e vendosur me Serbinë të dy shtetet janë në pozicione të barabarta”, nënvizoi Nishani duke shtuar se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi këtë proces dhe produktet e tij me pritshmërinë legjitime e të nevojshme që ëdo marrëveshje e arritur të zbatohet me shpejtësi dhe plotësisht.

Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i angazhimeve të marra në kuadër të këtij dialogu do të shërbejë në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve Kosovës e Serbisë, por njëkohësisht do të vazhdojë të çlirojë energji pozitive për gjithë rajonin.

“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por e duhura pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjtiha pretendimet e ngritura”, u shpreh Nishani.

Presidenti Nishani tha se asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës në përballje me agresionin dhe genocidin çnjerëzor Millosheviçian.

Në fjalën e tij, Presidenti Nishani theksoi sot se unifikimi i programeve kulturotre dhe i kurrikulës së sistemit arsimor parauniveristar janë hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. “Përfitova të përshëndes progresin e gjithanshëm të Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe sovranitet dhe shtrirjen e të gjithë veprimtarisë së bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar”, tha Nishani.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke falënderuar Presidentin Nishani për ftesën u shpreh se “shqiptarët kanë qenë një faktor i rëndësishëm për Kosovën pasi kanë kontribuar në mbështetjen e bërjes së Kosovës shtet”.

“Kemi përfunduar një numër të madh projektesh të mëdha infrastrukturore duke afruar më shumë qytetarët tanë dhe duke lehtësuar më shumë bashkëpunimin mes shteteve tona dhe tani ka ardhur koha që ne të punojmë më shumë të ndihmojmë më shumë njëri tjetrin, të forcojmë më shumë ekonomitë tona dhe njëherësh edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga nënvizoi se të dy shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, por është edhe një garantues i zhvillimit , i paqes, stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

Lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel për asociacionin e komunave serbe , Presidentja Jahjaga tha se “Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavararua dhe sovrane dhe kemi bërë hapa të rëndësishme dhe po ecim në rrugën evropiane dhe integrimit. Jemi të interesuara të zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy shteteve”.

Duke folur për marrëveshjen për komunat serbe në Kosovë, Nishani vuri në dukje se kjo nuk cënon sovranitetin e Kosovës, por njëherazi është një njohje de facto që Serbia i bën shtetit të Kosovës.

“Në gjykimin tonë është një marrëveshje shumë transparente dhe e qartë dhe nuk cënon sovranitetin e Kosovës, por është pranim "de facto" i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, përsa kohë Serbia njeh këtë fakt mbi pakicat serbe në Kosovë duke i trajtuar si pakica të një minoriteti”, tha Nishani.

Ndrësa Presidentja Jsahjaga tha se “e kam theksuar dhe ritheksuar se procesi i dialogut ka qëllim lehtësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ky proces dhe kjo marrëveshje do të kontribuohet në jetën institucionale të komunitetit serb që jeton në këtë pjesë të territorit të Kosovës”.

Në lidhje me çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nishani u shpreh se “sa i takon çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ne mbetemi të shqetësuar për situatën e tyre veçanërisht në aspektin ekonomik dhe social. Në takimin që kam pasur me autoriitetet me te larta vecanresisht me Presidentin Vuçiç e kam adresuar këtë shqetësim qofte për njohjen e diplomave, por edhe për çështje të tjera të zhvillimit ekonomik social, kam marrë angazhime dhe premtime të gjera nga ana e autoriteteve serbe dhe ende pres të zbatohen, Jemi ende në fazën e premtimeve nga ana serbe dhe presim që të realizohen”.

Më pas, Presidentja Jahjaga pati takime me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe me Kryeministrin Edi Rama.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme