Jahjaga: Shqipëria, partneri më strategjik i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, vlerësoi rolin e Shqipërisë dhe mbështetjen për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Jahjaga: Shqipëria, partneri më strategjik i Kosovës

Jahjaga mbajti të entjen një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të vizitës së saj zyrtare dyditore në Tiranë.

“Pa Shqipërinë, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot”, deklaroi Jahjaga, ndërsa shtoi se Kosova nuk ka partner më të madh se Shqipëria.

Më tej, Presidentja Ahtifete Jahjaga i ka bërë apel partive politike në Shqipëri që të tregohen bashkëpunuese në kuadër të integrimit në BE, si dhe në realizimin e standardeve. Po ashtu, Jahjaga kërkoi edhe një thellim të bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe kulturore. Për këtë tha ajo, është e rëndësishme heqja e barrierave mes dy vendeve.

“Kemi histori të përbashkët vuajtjesh dhe malli, e mbi të gjithë shumë bashkëpunimin mes nesh. Kemi ëndrrën për shtet të mëvetshëm, të lirë dhe demokratik, dhe Shqipëria na ndihmoi të realizojmë këtë ëndërr. Mbaj mend kur shqiptarët në Kosovë vraponin nga një cep i shtëpisë në tjetrin për të kapur valët e Radio Tiranës, e më po kështu kujtoj librat që i çonim dorë më dorë. Pa Shqipërinë, Kosova nuk do ishte ajo që është sot, e as Shqipëria s’do ishte e tillë pa Kosovën. Ju falënderoj nga zemra. Pas një shekulli përpjekjesh Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë bashkë si shtete të pavarura”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja e Kosovës u ndal edhe tek lufta ndaj terrorizmit, duke shprehur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal e më gjerë për të garantuar paqe dhe siguri.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi se Presidentja Jahjaga ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e imazhit të vendit të saj, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve tona do të mbeten gjithnjë vëllazërore.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme