Tirana për tre ditë kryeqytet i botës besimtare

Tirana do jetë kryeqyteti i gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare për tre ditë rresht.

Tirana për tre ditë kryeqytet i botës besimtare

Paqja, toleranca fetare dhe dialogu janë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nisi pasditen e së dielës në Tiranë (6 shtator) dhe do vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan dhe që organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes së këtij takimi në Pallatin e Kongreseve, Kryeministri Edi Rama u uroi mirëseardhjen në vendin e bashkëjetesës fetare rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Evropa, Afrika, Azia e Amerika Latine.

“Mirë se keni ardhur në Shqipëri, në vendin që Papa Françesku e quajti vendin e vëllazërisë fetare. Ndonëse po ju drejtohem thjeshtë dhe pa emërtesat ceremoniale, të jeni të sigurt se keni vlerësimin tim më të lartë, jo vetëm për atë që përfaqësoni, por edhe për atë përmasë të paçmuar shpirtërore që përçoni në kohët e vështira që jetojmë, si melhem për qindra mijëra milion besimtarë, por edhe njerëzve vullnetmirë”, iu drejtua kryeministri Rama të ftuarve në nisje të takimit.

Por Rama veçoi një prej të ftuarve. “Askush nuk do të më mbajë mëri, nëse përshëndes në mënyrë të veçantë, një bari shpirtrash i cili vjen për herë të parë në Shqipëri duke na e bërë të gjallë me praninë e tij, rezistencën përballë martirizimit të popullit irakian dhe të krishterëve atje, në mënyrë të veçantë. Prandaj, për forcën e paepur morale dhe për kujtesën që na përcjell që lindja e ardhme e bashkëjetesës fetare dhe e krishterimit shpirtbardhë irakian nuk ka vdekur. Qofshi i mirëseardhur në Tiranë” i tha Rama imzot Sakos, Patriarku i Babilonisë së Kaledjve.

“Ja ku jemi këtu sot në të njëjtin vend, në këtë pallat i cili u çel për ti bërë jehon propagandës më të shfrenuar të një regjimi ateist. Pikërisht ky pallat, ka mbledhur këtu së bashku të gjithë ju si shprehja më kuptim plotë se paqja jo vetëm është e mundshme por edhe e vetmja mundësi që e ardhmja na afron. Kjo nismë është edhe një ekologji e shpirtit të arsyes”, tha Rama.

Në këtë takim u lexua edhe një letër e shkruar nga Papa Françesku, ku shpjegon edhe një herë se arsyeja e vizitës së tij vitin e kaluar në Shqipëri ishte për shkak të bashkëjetesës në këtë vend.

Më tej në letër Papa Françeskut, i bëhet thirrje të gjithëve për të mos qëndruar indiferent ndaj krizës së emigrantëve, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Klosi: Shqipëria, vendi i harmonisë fetare

Ministri i Mirëqënies Sociale të Shqipërisë, Blendi Klosi deklaroi se takimi i 28-të organizohet në kryeqytetin e harmonisë fetare.

“Vetëm në 2 vjet mbështetëm ndërtimin e Xhamisë së Madhe përuruam katedralen e Ortodokseve, pritëm të gjithë sëbashku Papa Franceskun dhe në këto ditë të paqes do përurojmë odeonin e bektashinjve. I nderuar që ju drejtohem në këto ditë, për të thënë se paqja është gjithnjë e mundur”, tha Klosi.

Si përfaqësues të shtetit , vijoi ai, ne kemi detyrimin të garantojmë të drejtën e besimit për të gjithë qytetarët. Shqipëria, sipas tij, është e shndërruar në pikë referimi të bashkëjetesës fetare.

Në këtë takim tre ditor marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.

Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Evropian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, si dhe ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi.

Edhe dita e dytë vijon me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare. Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi.

Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë. Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia.

Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme