Shqipëri - Menaxhimi i borxhit, firmoset marrëveshja me Zvicrën

Qeveria zviceriane do të financojë projektin për menaxhimin më të mirë të borxhit publik dhe për ngritjen e kapaciteteve për analizat financiare në Shqipëri.

Shqipëri - Menaxhimi i borxhit, firmoset marrëveshja me Zvicrën

Ministri shqiptar i Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, nënshkruan paraditen e djeshme marrëveshjen e financimit.

“Sot publikut i jepet garancia se do të kemi një analizë shumë më të thelluar e më të mirë”, deklaroi Cani të enjten.

Sipas tij, sistemi i borxhit aktual në Shqipëri e përmbushi qëllimin e vet. “Nuk ka arsye përse Shqipëria të mos ketë sistemin më të avancuar”, vijoi Cani. Versioni numër 6 i programit të menaxhimit të borxhit dhe analizës financiare, DMFAS, synon mirëmenaxhimin e borxhit dhe ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin e integruar të tij.

Përmes këtij programi do të bëhet e mundur edhe një lidhje më e mirë e borxhit të brendshëm e atij të jashtëm, Ai jep gjithashtu elemente më të qartë e të mirëstudiuar lidhur me rreziqet.

“Bashkë me sistemin, falë mbështetjes se qeverisë zviceriane, do të bëhet i mundur edhe kualifikimi i specialisteve”, u shpreh ministri Cani.

Ndërsa ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, duke vënë theksin në faktin se shumë vende në rajon kanë në këto momente sfidë rritjen e borxhit publik, tha se del e nevojshme të mësojmë si të merremi më mirë me këtë çështje.

“Shqipëria ka nevojë për një kuadër të mirë për menaxhimin e borxhit në mënyrë solide me qëndrueshmëri afatgjatë, por edhe për t’iu përshtatur kushteve në ndryshim të mjedisit financiar”, theksoi ambasadori Graf.

Sipas tij, për të ndërtuar një sistem të mirë për të menaxhuar borxhin janë të rëndësishëm dy faktorë; databaza e borxhit publik, që është kushti kryesor për të marrë vendime edhe për portofolin e borxhit dhe, së dyti, pas databazës, analizë e komponentëve, që të drejtojnë portofolin e borxhit, rreziqet e t'u përshtaten ndryshimeve. Ai vuri në dukje se ky sistem lejon leximin e të dhënave edhe nga partnerë ndërkombëtarë.

Kontributi zviceran për fuqizimin e kapaciteteve të menaxhimit të borxhit publik në Shqipëri është rreth 450 mijë dollarë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme