Ballkani Perëndimor pret mbështetje nga BE-ja në Samitin e Vjenë

Sot më 27 gusht 2015, nën kujdesin e kancelarit austriak Werner Faymann në Vjenë mbahet Samiti për Ballkanin Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe delegacionet nga Republika e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Ballkani Perëndimor pret mbështetje nga BE-ja në Samitin e Vjenë

Më 27 gusht 2015, nën kujdesin e kancelarit austriak Werner Faymann në Vjenë do të mbahet Samiti për Ballkanin Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe delegacionet nga Republika e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.

Samiti i sivjetmë në Vjenë për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në tre nivele: për kryeministra, për ministra të jashtëm dhe për ministra të ekonomisë, kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.

Ndërkohë delegacioni i Shqipërisë, kryesohet nga kryeministri i vendit Edi Rama dhe në përbërje të tij janë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Shoqërisë civile ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal dhe rolin e shoqërisë civile. Gjate takimit, do të promovohet, gjithashtu, marrëveshja për hapjen e zyrës së bashkëpunimit rinor rajonal, iniciative kjo, e ndërmarrë nga Kryeministrat Rama dhe Vuciç.

Në ditën e parë të aktiviteteve në Vjenë, kushtuar rolit të shoqërisë civile, ministri Bushati mori pjesë në punimet e sesionit të parë ku u diskutua mbi temën "Roli i BE-së në zgjidhjen e problematikave dypalëshe në Ballkanin Perëndimor që prekin të ardhmen e proceseve integruese".

Ministria e Jashtme e Shqipërisë informon se në fjalën e tij, Ministri Bushati evidentoi se: "Çështjet bilaterale në të shkuarën kanë ngadalësuar ose kanë penguar procesin e anëtarësimit duke vënë në dyshim besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e këtij procesi. Për të shmangur të gjitha paqartësitë është e domosdoshme që trajtimi i çështjeve bilaterale të bëhet në fazë të hershme, duke kombinuar mekanizmat e zgjidhjes me instrumente nxitës, duke përfshirë instrumente mbështetës për zhvillimin ekonomik".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel, sot kanë udhëtuar për në Vjenë, ku do të marrin pjesë në samitin për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, kryeministri Mustafa do të nënshkruajnë disa marrëveshje të bashkëpunimit ndërshtetëror, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Kosovës.

Në ditën e dytë të Samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetmë, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer. Pastaj edhe krerët e vendeve që do t’i organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin “Procesin e Berlinit”, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë edhe me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Ndërkohë delegacioni nga Republika e Maqedonisë, kryesohet nga kryeministri Nikola Gruevski, ndërsa është i përbërë nga zëvendës kryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski, ministri i Punëve të Jashtme Nikola Poposki dhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Në konferencën e Vjenës përveç kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të marrin pjesë edhe kacelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri italian, Matteo Renzi, nënkryetare e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Suma Chakrabarti, Drejtori i Bankës Evropiane për Investime, Ëerner Hoyer, si dhe zyrtarë të lartë nga Sllovenia, Kroacia dhe Franca, të cilët janë nikoqir të ardhshëm të kësaj konference.

Seanca e Ministrave të Punëve të Jashtme, nën kujdesin e ministrit federal austriak për Integrime Evropiane dhe Politikë të Jashtme, Sebastian Kurz, do të fokusohet në temat për bashkëpunim rajonal, çështjet e hapura dhe të rinjtë, lëvizshmëria në Ballkanin Perëndimor, zgjidhja e problemit me refugjatët, si dhe dialogu fetar dhe luftimin kundër ekstremizmit. Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, në këtë seancë do të mbajë fjalim në kuadër të temës së dytë.

Së fundmi, segmenti ekonomik i konferencës do të përbëhet nga dy forume biznesi të organizuar nga Dhoma Ekonomike e Austrisë, ndërsa seanca e ministrave të obliguar për çështjet ekonomike do të mbahet nën kujdesin e zëvendëskancelarit dhe ministrit federal të Shkencës, Hulumtimeve dhe Ekonomisë së Austrisë, Reinhold Miterlener.

Në këtë seancë do të diskutohet për dy tema kryesore: prosperiteti ekonomik dhe trajnimi profesional i dyfishtë, brenda të cilëve do të shqyrtohen mundësitë për përmirësimin e politikave ekonomike, reformave strukturore, përmirësimin e kapitalit njerëzor dhe fizik, objektet industriale, mjedisin e biznesit dhe integrimin e tregtisë, me qëllim që të inkurajojë konkurrencën dhe të sigurojë rritjen ekonomike afatgjate.

Pas përfundimit të Samitit do të mbahet edhe ceremonia me të cilën do të shënohet 10-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Në sesionin e krerëve të qeverive, kryeministrat do të diskutojnë situatën aktuale ekonomike në rajon, çështjet e rinisë dhe arsimit profesional dhe ndërlidhjes. Në këtë sesion do të marrë pjesë Përfaqësuese e Lartë për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme