Ishulli i Sazanit një potencial turistik

Ishulli i Sazanit i cili ka mbartur ndër dekada mistere të shumta, tashmë ka filluar të eksplorohet nga turistët e huaj, por edhe vizitorët vendas.

Ishulli i Sazanit një potencial turistik

Ishulli i Sazanit i cili ka mbartur ndër dekada mistere të shumta, tashmë ka filluar të eksplorohet nga turistët e huaj, por edhe vizitorët vendas. Një projekt i qeverisë shqiptare për të kthyer ishullin në një destinacion turistik, tërhoqi vëmendjen e opinionit publik jo vetëm shqiptar, por edhe atij botëror.

Nga 25 korriku 2015, ishulli i Sazanit është hapur zyrtarisht për turistët vendas dhe të huaj, pas 70 vitesh, si një destinacion me interes turistik historik dhe natyror. Projekti për hapjen për vizitorët të ishullit ishte prezantuar me herët nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke u konsideruar si një nga risitë e këtij sezoni turistik.

Ishulli ka një sipërfaqe prej rreth 5.8 kilometra katrorë dhe shtrihet si pozicion gjeografik në hyrje të Gjirit të Vlorës, ku “takohen” deti Jon dhe ai Adriatik. Ky ishull pas Luftës së Dytë Botërore dhe sigurisht gjatë Luftës së Ftohtë ishte një bazë ushtarake nga më të rëndësishmet në Mesdhe së bashku me bazën e “Pashalimanit”.

Nisja për të vajtur në ishull bëhet e organizuar çdo ditë nga porti i Vlorës, ku ka edhe një ndalesë në gadishullin e Karaburunit, ku mund të qëndrojnë vizitorët që dëshirojnë të shijojnë plazhet e kësaj zone. Pas një udhëtimi mbi dy orë me anije zbarkohet në ishullin “misterioz”. Në një udhëtim të shkurtër nëpër ishull, pavarësisht se ka edhe terrene të vështira, shikohen gjurmët historikë të së kaluarës ushtarake të këtij ishulli, si ish-ndërtesat ushtarake, apo edhe të tjera shkolla, kinemaja, fusha e futbollit, klubet, etj.

Edhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Julinda Dhame e konsideroi risi për turizmin në Shqipëri projektin e qeverisë për hapjen e ishullit të Sazanit. “Ishulli ushtarak”, pas më shumë se 70 vitesh, u kthye në qendër të vëmendjes si një destinacion turistik, i hapur për turistët shqiptarë dhe të huaj, që sigurisht përveç pjesës së kuriozitetit dhe turizmit historik, ofron edhe plazhe të veçanta.

Sipas botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ishulli do t’i rikthehej përsëri Shqipërisë, por Lufta e Ftohtë, do ta vinte përsëri në qendër të vëmendjes. Anëtarësimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, u shoqërua me nënshkrimin e dy marrëveshjeve ushtarake, përkatësisht në vitet 1957 dhe 1959, ku sanksionohej dislokimi i një njësie të Flotës Detare Shqiptare dhe asaj luftarake sovjetike, si dhe njësi të artilerisë së kalibrit të rëndë të mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes kundërajrore, ku për pasojë u vendosën dhe disa familje ushtarakësh në të.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit, e cila do të jetë përgjegjëse për administrimin e ishullit gjatë sezonit turistik, së bashku me forcat ushtarake prezente, ka bërë të ditur se në ditët e para të hapjes turistë nga Shqipëria, Kosova dhe nga vendet e tjera kanë zhvilluar ture në ishull, shoqëruar nga guidat turistike.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, të ardhurat e mbledhura do të përdoren vetëm për ishullin e Sazanit, për menaxhimin e zonës, për hapjen e qendrës së vizitorëve dhe për qendrën kërkimore shkencore që synohet të ngrihet.

Ndërkohë pas shtimit të numrit të shtetasve nga Kosova me ndërtimin e “Rrugës së Kombit”, që preferojnë Shqipërinë për të kaluar pushimet, është në rritje edhe numri i turisteve nga vendet e tjera të Ballkanit. Sipas drejtueses së Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Julinda Dhame numri i turisteve nga vendet e Ballkanin është në rritje dhe ajo shprehet se ka një kuriozitet nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Turqia. Ndërkohë turistët nga vendet Nordike, si dhe nga Spanja dhe Italia, etj, kanë shfaqur shumë interes këtë vit për të vizituar Shqipërinë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme