Emir i Katarit viziton Shqipërinë

Me ftesë të Presidentit Bujar Nishani, sot zhvilloi një vizitë në Qytetin e Gjirokastrës, Babai Emir i Katarit, Lartësia e Tij, Sheikh Hamad Bin Khalifa Al-Thani.

Emir i Katarit viziton Shqipërinë

Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen Lartësisë së Tij, Sheikh Al-Thani dhe delegacionit që e shoqëronte në Kalanë e Gjirokastrës.

Gjatë kësaj vizite Sheikh Al-Thani u njoh me historinë e Qytetit të Gjirokastrës dhe të Kalasë së saj, traditat e këtij qyteti, por edhe të një pjese të Shqipërisë, si dhe shprehu interes për potencialet ekonomike e sociale të këtij qyteti dhe rajoneve përreth.

Presidenti Nishani, gjatë takimit dhe drekës së shtruar për nder të miqve nga Katari, rishprehu mirënjohjen për mbështetjen personale që Sheikh Al-Thani dhe Familja Mbretërore e Katari i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të miqësisë dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kreu i Shtetit e konsideroi vizitën në Gjirokastër të Sheikh Al-Thani si një vëmendje e familjes mbretërore të Katarit për t’i nxitur edhe më tej këto marrëdhënie.

Me shumë interes u diskutua mbi mundësinë e zhvillimit të projekteve të investimeve në Shqipëri në fushën e bujqësisë, energjisë dhe turizmit, por edhe për mbështetjen e promovimit të kulturës, letërsisë dhe turizmit shqiptar në Katar.

Vizita në Gjirokastër e Sheikh Al-Thani u zhvillua pas vizitës zyrtare të zhvilluar nga Presidenti Nishani në Katar në muajin mars të këtij viti dhe bisedave të zhvilluara për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në fushën e artit dhe të kulturës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme